Vendimi i Iranit për të goditur vendet e Gjirit Persik, Putin telefonon liderët e Emirateve, Katarit dhe Bahreinit
Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar biseda telefonike me udhëheqësit e Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit dhe Bahreinit, njoftoi të hënën Kremlini. Të tre vendet strehojnë baza të mëdha ushtarake amerikane.
Pas një fushate masive ushtarake, që sipas njoftimeve ishte e paprovokuar, nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit të shtunën, ku raportohet se humbën jetën Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe disa komandantë të lartë, Teherani ka reaguar duke lëshuar qindra raketa dhe dronë drejt objektivave amerikane dhe izraelite në të gjithë rajonin e Gjirit.
Sipas informacioneve nga biseda telefonike midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, dy liderët diskutuan “ngjarjet tragjike dhe të paprecedentë në Lindjen e Mesme, në kontekstin e agresionit amerikano-izraelit kundër Iranit dhe veprimeve të ashpra hakmarrëse të Teheranit”. Të dyja palët theksuan “nevojën për një armëpushim të menjëhershëm dhe kthimin në procesin politiko-diplomatik”.
Presidenti Putin vuri në dukje se përpjekjet e rëndësishme të Rusisë për të lehtësuar një zgjidhje paqësore të çështjes së programit bërthamor iranian, në të cilën Emiratet e Bashkuara Arabe kishin luajtur gjithashtu një rol aktiv, u ndërprenë nga një “akt i paprovokuar i agresionit të armatosur kundër një shteti sovran anëtar të OKB-së, në shkelje të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”.
