Trump pret të martën kancelarin gjerman Merz në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar sulmin ndaj Iranit
Presidenti Donald Trump do të presë në Shtëpinë e Bardhë kancelarin gjerman Friedrich Merz të martën, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë të cituar nga CNN. Takimi pritet të fokusohet në zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, veçanërisht pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj Iranit gjatë fundjavës.
Kancelari Merz ka deklaruar në rrjetet sociale: “Do të takohem me Presidentin Trump në Uashington të martën për të diskutuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme. Jam në kontakt të ngushtë me partnerët në Evropë, Izrael dhe rajon. Tani nuk është koha për të fajësuar njëri-tjetrin, por për unitet dhe veprim të përbashkët.”
Vizita e zotit Merz në Uashington e bën atë liderin e parë evropian që viziton kryeqytetin amerikan që nga fillimi i tensioneve të fundit në Iran.
