Irani godet një stacion të CIA-s në Arabinë Saudite
Një sulm me dron, për të cilin dyshohet se autor është Irani, goditi mbrëmjen e së hënës një stacion të CIA-s në ambasadën amerikane në Arabinë Saudite. Sipas dy burimeve, ky akt shihet si një fitore simbolike për Republikën Islamike, e cila kohët e fundit ka goditur objektiva dhe personel amerikan në të gjithë Lindjen e Mesme.
Qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite konfirmuan se dy dronë goditën kompleksin e ambasadës amerikane në Riad. Megjithatë, ato nuk dhanë detaje nëse objektivi i sulmit ishte edhe qendra e spiunazhit e SHBA-së. CIA nuk ka bërë koment lidhur me ngjarjen.
Një raport i brendshëm i Departamentit të Shtetit, i cituar nga Washington Post, sqaron se sulmi shkaktoi shembjen e një pjese të çatisë së ambasadës dhe hyrjen e tymit brenda ndërtesës. I njëjti dokument thekson se ndërtesa pësoi “dëme strukturore” dhe se personeli po operon vetëm në zona të sigurta. Shkalla e dëmit nuk është bërë e qartë ende dhe nuk ka asnjë sinjalizim se ndonjë punonjës i CIA-s është plagosur.
Edhe pse ky sulm përbën një goditje të vogël për praninë e agjencisë së inteligjencës në Arabinë Saudite, ai mund të ketë një rëndësi të konsiderueshme simbolike. Irani e ka konsideruar prej dekadash CIA-n armikun e tij “numër një”, veçanërisht duke marrë parasysh mbështetjen sekrete të Uashingtonit për grushtin e shtetit të vitit 1953, i cili rrëzoi kryeministrin e zgjedhur të Iranit.
Ish-zyrtarë të CIA-s, të cilët kanë shërbyer në rajon, shprehen se humbja e një baze është shqetësuese, por ekzistojnë alternativa. “Problemet janë pjesë e natyrës së punës,” ka thënë një ish-oficer që shërbeu në Lindjen e Mesme, duke folur në kushte anonimiteti. Ai shtoi: “Bashkëpunimi me agjencitë lokale është aq i ngushtë sa mendoj se sauditët do të bëjnë çmos për të akomoduar personelin e CIA-s.”
©LAPSI.al
