Investimet në Energji të Pastër Krijojnë 40,000 Vende Pune në Shqipëri

Investimet në eficiencë energjie dhe burime të rinovueshme mund të gjenerojnë deri në 40 mijë vende pune

Investimet në eficiencë energjie dhe burime të rinovueshme kanë potencialin për të krijuar deri në 40 mijë vende pune në Shqipëri. Ky vlerësim bëhet i ditur në dokumentin “Vlerësimi gjithëpërfshirës i potencialit për kogjenerim me eficiencë të lartë dhe për sisteme efikase të ngrohjes dhe ftohjes qendrore”, i cili është dorëzuar pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Dokumenti kryen një analizë të thelluar mbi potencialin e zhvillimit të sektorit energjetik dhe ndikimin e tij në ekonomi. Ai thekson se impakti në tregun e punës varet nga dy faktorë kryesorë:

  • Krijimi i vendeve të punës si rezultat i instalimit të teknologjive të eficiencës së energjisë dhe energjisë së rinovueshme.
  • Efektet afatgjata të sjella nga ulja e kërkesës për energji.

“Investimet në eficiencë energjie/burime të rinovueshme krijojnë vende pune për instalimin e tyre dhe gjithashtu në industrinë që prodhon produktet dhe ofron shërbimet përkatëse”, thekson raporti.

Bazuar në një analizë të mbledhur nga më shumë se 20 burime ndërkombëtare, rezulton se mesatarisht krijohen 20–22 vende të reja pune për çdo 1 milion euro të investuar në masa të eficiencës së energjisë brenda ndërtesave ekzistuese.

Një studim panevropian i vitit 2022 arrin në përfundimin se për çdo 1 milion euro të investuar, krijohen 18 vende pune direkte. Gjithashtu, një euro e investuar në sektorin e ndërtimit gjeneron 2.2 euro në sektorë të tjerë të ekonomisë. Duke përfshirë efektet indirekte, numri total i vendeve të punës arrin në rreth 19.5–20 për çdo 1 milion euro investim.

Duke u bazuar në këto të dhëna, raporti vlerëson se një program ambicioz për rinovimin energjetik të ndërtesave dhe industrisë në Shqipëri mund të rezultojë në krijimin e rreth 35,000 deri në 40,000 vendeve të reja pune në total.

“Zbatimi i eficiencës energjetike dhe burimeve të rinovueshme në sektorin e ndërtesave paraqet një mundësi strategjike për punësim”, thekson dokumenti. Ai argumenton se instalimi i teknologjive është më intensiv në punë sesa prodhimi i tyre. Për këtë arsye, eficienca energjetike e ndërtesave konsiderohet ndër prioritetet kryesore për politikat që synojnë rritje ekonomike dhe reduktim të papunësisë.

Raporti nënvizon gjithashtu se përfitimet nuk kufizohen vetëm në fushën e punësimit. “Zhvillimi i vendeve të punës në fushën e eficiencës energjetike të ndërtesave është një sektor kyç ku rritja ekonomike shoqërohet me ulje të emetimeve të karbonit dhe rritje të sigurisë energjetike”, thuhet më tej në raport.

Në perspektivë afatgjatë, kërkesa për aftësi të specializuara në këtë sektor pritet të mbetet e lartë. “Në vitin 2050, kërkesa evropiane dhe globale për aftësi në eficiencën energjetike të ndërtesave do të jetë ende e konsiderueshme dhe e vazhdueshme”, thekson dokumenti, duke shtuar se këto role do të integrohen natyrshëm në ekonominë me karbon të ulët.

Scroll to Top