Rei Manaj, ylli i Sivaspor, me 4 gola e asist

Manaj shënon vazhdimisht, trajneri kërkon më shumë: Nuk është ende në maksimum

Rei Manaj është bërë protagonist me fanellën e Sivaspor që në javët e para të aktivizimit me këtë ekip. Ai e ka mbyllur muajin e tij të parë si pjesë e klubit turk me 4 gola dhe një asist. Megjithatë, sipas trajnerit Ismet Tashdemir, futbollisti nuk është ende në formën e tij më optimale.

“Rei Manaj është thuajse gati, ndoshta mund të shtojë diçka më shumë përsa i përket gjendjes së tij fizike, por po punon në këtë drejtim. Ai po punon shumë mirë. Ka gjithashtu edhe një përkushtim të lartë,” tha trajneri para mediave.

“Unë e shoh që është integruar mirë me ekipin dhe shpresojmë që kjo gjë të vazhdojë edhe në vijim. Në fund të fundit, Manaj është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, një lojtar me të vërtetë i shkëlqyer. Ne kemi edhe lojtarë të tjerë, por presim që të gjithë të përmirësohen nga dita në ditë, pasi jemi në një periudhë ku nuk kemi nevojë për justifikime. Mundohemi të japim më të mirën,” shtoi trajneri i Sivaspor.

Klubi aktualisht mban vendin e 13-të në renditjen e kategorisë së dytë turke. Në fundjavë, ata do të luajnë kundër Keçiorengyçy, një kundërshtar direkt për të siguruar zonën e “play-off”-it për ngjitjen në elitë dhe mund të ngjisin pozicione të tjera në klasifikim.

Scroll to Top