BIRN: Si boshti ruso-iranian po përhap propagandë edhe në gjuhën shqipe
Platformat mediatike pro-iraniane dhe ato të mbështetura nga Kremlini kanë shënjestruar lexuesin shqipfolës me një fushatë të re dhe dukshëm të sinkronizuar dezinformimi. Kjo fushatë shfrytëzon bombardimet e fundit në Iran për të përhapur teori konspirative kundër Perëndimit.
nga Vladimir Karaj
Bombardimet e pretenduara nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në Iran kanë shërbyer si katalizator për një fushatë të re dezinformimi në gjuhën shqipe, e shtyrë nga media ruse, iraniane dhe ato që riprodhojnë qëndrimet e këtyre të fundit.
Një analizë e teksteve të publikuara së fundmi në platforma të ndryshme online tregon një bashkim të narrativave të makinerisë shtetërore ruse, siç është rrjeti i dezinformimit “Pravda” në shqip apo ideologët e afërt me Kremlinin, dhe mediave të linjës iraniane që operojnë në gjuhën shqipe, si Gazeta Impakt apo Pars Shqip.
Të dyja këto rryma po përdorin një gjuhë apokaliptike, duke portretizuar Perëndimin në tërësi, si edhe SHBA-në dhe Izraelin, si “Antikrishti” ose “Baali” (një emër i përdorur për djallin). Ato lidhin luftën në Iran me ekspozimin e dosjeve të Jeffrey Epstein, një financieri amerikan i dënuar për ngritjen e një rrjeti të trafikimit seksual të të miturave, i cili shfrytëzoi lidhje me elitat globale për të fshehur krimet e tij.
Vdekja e tij në burg, kontaktet që ai kishte me persona me pushtet dhe mungesa e hetimeve të thelluara janë kthyer në mjete të preferuara për makineritë e propagandës dhe teoritë konspirative, të cilat synojnë të godasin Perëndimin ose vlerat perëndimore.
Kjo valë propagande vjen pas sulmeve masive dhe të koordinuara ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit, të cilat sipas pretendimeve synonin infrastrukturën bërthamore, qendrat ushtarake dhe udhëheqjen e lartë iraniane. Pas këtyre sulmeve, Irani lëshoi qindra raketa balistike dhe dronë, jo vetëm drejt Izraelit, por edhe drejt bazave ushtarake amerikane në vendet fqinje arabe si Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe Bahreini. Ky përshkallëzim ka zhytur Lindjen e Mesme në një luftë të hapur rajonale, me qindra viktima dhe hapësira ajrore të mbyllura.
“Kulti i Baalit” dhe apokalipsi
Tekstet e publikuara që nga mesi i shkurtit, dhe të intensifikuara pas sulmeve, përpiqen ta zhvendosin konfliktin nga rrafshi politik në atë fetar. Alexander Dugin, i njohur si arkitekti ideologjik i politikës së jashtme të Rusisë, e cilëson Perëndimin si “Qytetërimin e Baalit” – një referencë biblike për idhujtarinë dhe sakrificat njerëzore – dhe Iranin si rezistencën e fundit kundër djallit.
Ai paralajmëron se rënia e Iranit do t’i hapte rrugë shkatërrimit të Rusisë, duke bërë thirrje për një luftë të shenjtë dhe radikale. Shkrimi i Dugin, i cili vendos barazime mes bombardimeve në Iran dhe atyre kundër regjimit të Slobodan Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë, u publikua në shqip nga Gazeta Impakt, një platformë e lidhur me Olsi Jazexhin, një historian i njohur për qëndrimet e tij pro Teheranit zyrtar dhe mbështetjen e qëndrimeve të Dugin.
Si për të kthyer favorin, Dugin ndau në faqen e tij në Facebook një postim të Jazexhit, ku pretendohej në mënyrë të rreme se Irani kishte bombarduar zyrat e qeverisë së Izraelit dhe se fati i kryeministrit Benjamin Netanyahu nuk dihej.
Faqet e lidhura me Dugin, Gazeta Impakt dhe Jazexhi kanë publikuar gjithashtu karikatura të ngjashme, ku bëhet thirrje për një aleancë të krishterë dhe myslimane kundër “zionizmit”. Karikatura përpiqet të portretizojë Perëndimin si djallëzor, ndërsa skandali i Epstein përdoret si fytyra përfaqësuese e Perëndimit apo Izraelit.
Një profil në X i faqes së radios së Iranit në Shqipëri ndau një mesazh të ngjashëm, duke këmbëngulur se bombardimi i një shkolle fillore vajzash në Minab më 28 shkurt (datë kur nisi sulmi i SHBA-së ndaj Iranit), ku raportohet se kanë vdekur 175 nxënëse, ishte i qëllimtë dhe përbënte një “kurban” që SHBA-ja dhe Izraeli i bënin “Baalit”. Autoritetet amerikane ende nuk kanë një qëndrim zyrtar mbi këtë ngjarje, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut kanë kërkuar hetim, duke e cilësuar atë një krim lufte.
Përdorimi i skandalit Epstein
Të dy linjat e propagandës dhe dezinformimit – qoftë ajo ruse, e përkthyer automatikisht në shqip nga rrjeti Pravda, qoftë ajo iraniane përmes mediave Pars dhe Gazeta Impakt – lidhin bombardimet me skandalin Epstein.
Pravda, duke iu referuar kryesisht kanaleve pranë Kremlinit në Telegram, këmbëngul se bombardimet janë përpjekje e presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr vëmendjen nga lidhja e tij e pretenduar me Epstein. Në këtë përpjekje, publikimet e Pravda tërheqin paralele me bombardimin e regjimit të Millosheviçit nga NATO-ja në përpjekje për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, duke përsëritur një linjë të njohur propagande dhe lajmesh të rreme që lidh bombardimet me skandalin e presidentit Bill Clinton dhe Monica Lewinsky. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 u mbështet nga komuniteti ndërkombëtar dhe erdhi si përgjigje ndaj një krize humanitare të dokumentuar, pas dëbimit masiv të qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova.
Në të njëjtën linjë me mediat ruse, edhe Gazeta Impakt e etiketon ushtrinë e SHBA-së si “ushtria e Epstein”. “Çfarë do të ndodhte nëse ushtria e Epstein – e Trumpit – ka vrarë Khamenein?”, shkruhet në një artikull të publikuar më 1 mars, i cili e barazon Khamenein me Jezu Krishtin.
