PAMJE: Policia hyn me forcë në protestën e Lapajt para Kryeministrisë
Policia ka ndërhyrë gjatë protestës së partisë “Shqipëria Bëhet”, të drejtuar nga Adriatik Lapaj, para Kryeministrisë të premten. Të shumta në numër, forcat e rendit u kanë marrë me forcë protestuesve karriget dhe pankartat.
Adriatik Lapaj kishte paralajmëruar ngritjen e çadrave para godinës së Kryeministrisë, ku anëtarë të partisë së tij protestojnë prej muajsh. Lapaj gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve për bashkim, duke shtuar se “beteja kundër hajdutërisë nuk duhet të ndalet”.
Ai u drejtua me thirrje politikanëve të të gjitha partive që të bashkoheshin në shesh me çadrat e tyre, në vend që të qëndronin në studiot televizive. “Po përballemi me qeverinë më të korruptuar në Europë. U bëj thirrje qytetarëve që të bashkohen kundër hajdutërisë,” – tha Lapaj.
Ai njoftoi gjithashtu vendimin e Prokurorisë për rrëzimin e kallëzimit të Policisë dhe sekuestrimeve të mëparshme të çadrave dhe sendeve të Lëvizjes. Ky vendim ka lejuar kthimin e tyre dhe ka hapur rrugën për protesta të tjera.
