Deputeti Taulant Balla ka deklaruar se numri telefonik me prefiksin ‘0900’ shërben për marrjen e informacionit nga Bashkimi Evropian. Këto komente të tij i kanë shkaktuar një sulm të ashpër nga ana e Partisë Demokratike (PD), e cila e akuzon për cenim të dinjitetit të deputetes Albana Vokshi dhe kërkon përjashtimin e tij nga punimet e Kuvendit për 60 ditë.
Grupi Parlamentar i PD-së kërkon përjashtimin e kryetarit të grupit të PS-së, Taulant Balla, nga punimet e Kuvendit për 60 ditë, si pasojë e gjuhës së përdorur ndaj deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi. Sipas PD-së, Balla ka cenuar në mënyrë të rëndë dinjitetin njerëzor të deputetes Vokshi. Gjatë një debati në parlament, Balla u shpreh: “Realish nuk kishim një numër tuajin që të ju merrnin në telefon dhe të ju thonim çfarë mendoni ju. 0900 se këtë numër kam, për ty Albana padyshim”.
Taulant Balla i ka kërkuar ndjesë deputetes së PD-së, Albana Vokshi, për deklaratën e tij, të cilën demokratët e interpretuan si një referencë për numra telefonikë që vite më parë përdorej si linja erotike. Nga ana tjetër, Balla pretendon se numri “0900” është një “numër i gjelbër” në Bashkimin Evropian, i cili përdoret nga qytetarët për të marrë informacion lidhur me vendimmarrjet e BE-së. “Bëhet fjalë për një numër telefonik që në BE merret për të marrë informacion mbi Bashkimin Evropian. Kush ka nevojë të marrë informacion mbi BE, ka një numër ku ti mund të marrësh informacion për vendimmarrjen e BE”, u shpreh Balla, duke i kërkuar sërish falje Vokshit.
Ai shtoi: “Kush do, që ta përdorur këtë situatë për të nxitur protestat, për të frymëzuar dështimin e protestave, le ta marrin. Zonja Vokshi, nëse ndihesh e fyer, të kërkojnë ndjesë”. Balla kërkoi gjithashtu masa ndaj deputetit Gazment Bardhi, i cili e kishte cilësuar socialistin si “legen”, “i paburrë” dhe “ndyrësirë”.
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, reagoi pas deklaratës së Taulant Ballës. Ajo u shpreh se është ndjerë e lënduar nga mënyra sesi kryetari i Kuvendit e menaxhoi situatën dhe nga mosreagimi i deputeteve socialiste. “Nuk jam ndjerë e fyer nga ajo që u tha dje, sepse njerëz me veprime si të tijat e turpërojnë Parlamentin. Por jam ndjerë e lënduar për mënyrën sesi kryetari i Kuvendit e menaxhoi situatën. E menaxhoi në mënyrë të turpshme dhe nga ana e grave deputete të PS për gjuhën seksiste që u përdor nga kryetari i grupit tuaj parlamentar,” tha Vokshi. Ajo shtoi se shënjestrimi ishte politik dhe synonte goditjen e opozitës dhe grave deputete të saj. Vokshi gjithashtu denoncoi kërcënime dhe shantazhe ndaj saj dhe vajzës së saj, si dhe përjashtimin e saj për 3 muaj nga Kuvendi.
Njoftimi i PD-së, datës 05.03.2026, detajon se gjatë seancës plenare, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh: “Thamë t’ju pyesim ju njëherë, po s’kishim kohë. Realisht, realisht, realisht, realisht nuk kishim një numër telefonin tuajin që t’ju merrnim në telefon dhe t’ju thonim ore si mendoni ju për këtë. Po, 0900 se për ty kam këtë numrin, për ty Albana padyshim. Dhe pa pyetur për strukturat vendore, pa pyetur edhe për këtë padyshim. Edhe se kishim këtë mundësi. Se kishim këtë mundësi.”
PD argumenton se kjo gjuhë fyese, ofenduese, seksiste dhe diskriminuese ka shkelur nenet e Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit, të cilat parashikojnë standarde të sjelljes, ndalimin e gjuhës fyese dhe diskriminuese, si dhe masat disiplinore, përfshirë përjashtimin nga punimet e Kuvendit deri në 60 ditë. Sipas PD-së, deputeti Balla ka përdorur gjuhë fyese, ofenduese, seksiste dhe diskriminuese në drejtim të deputetes Vokshi, duke cënuar rëndë dinjitetin e saj si deputete, grua dhe nënë. Ata kërkojnë marrjen e menjëhershme të masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare 60 ditë” ndaj deputetit Taulant Balla. Kërkesa është firmosur nga 20 deputetë të Grupit Parlamentar të PD-së.
