Osmani thërret liderët politikë për konsultime mbi datën e zgjedhjeve, Kurti nuk konfirmon pjesëmarrjen
Publikuar më 06.03.2026 nga shekulli_admin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar për sot, në orën 13:00, një takim me liderët e partive politike. Ky takim synon diskutimin e caktimit të datës për zgjedhje të reja, pas dekretit të lëshuar për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Krerët e partive opozitare shqiptare kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takim. Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka dhënë një përgjigje të qartë lidhur me ftesën e presidentes.
I pyetur nga gazetarët në Prekaz, Kurti u shmang nga përgjigjja nëse do të marrë pjesë në konsultime, duke përmendur angazhime të tjera në të njëjtën kohë.
- “Në ora 13:00 e kemi një ekspozitë në hollin e Kuvendit, pastaj në orën 19:00 e kemi edhe akademinë përkujtimore”, tha Kurti.
Ai shtoi se për “të gjitha çështjet e politikës ditore” do të flasë në Prishtinë.
Nga ana tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arberie Nagavci, bëri të ditur se partia e saj do të organizojë një konferencë për media sot rreth orës 12:30 në Prishtinë. Në këtë konferencë do të diskutohet vendimi i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimi i datës së zgjedhjeve të reja.
