Ndryshime Qeveritare: 7 Ministra të Rinj Betohen

Ndryshimet në qeveri, betohen 7 ministrat e rinj të kabinetit “Rama”

Botuar më 06.03.2026 nga shekulli_admin

Me dorën mbi Kushtetutë, shtatë ministrat e rinj të kabinetit qeveritar janë betuar sot te Presidenti. Pas leximit të formulës, ata kanë marrë zyrtarisht detyrën.

Ceremonia u zhvillua në Pallatin e Brigadave. E para që u betua ishte zëvendëskryeministrja Albana Koçiu. Më pas, me radhë u betuan edhe ministrat e tjerë: Ferit Hoxha, ministër i Punëve të Jashtme; Besfort Lamallari, ministër i Brendshëm; Ermal Nufi, ministër i Mbrojtjes; Toni Gogu, ministër i Drejtësisë; Enea Karakaçi, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë; dhe Eriona Ismaili, ministre e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin.

Ndryshimet në qeveri

Shkarkimet dhe emërimet e ministrave të rinj u njoftuan gjatë mbledhjes së grupit Parlamentar të PS-së, të mbajtur më 26 shkurt. Kryeministri shkarkoi nga detyra Belinda Ballukun nga pozicioni i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Balluku mbetet nën hetim nga SPAK për abuzime me tenderat, për të cilat është kërkuar edhe arrestimi i saj.

Kreu i qeverisë largoi gjithashtu Pirro Vëngun dhe Elisa Spiropalin nga postet e ministrave të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, respektivisht.

Në vend të Ballukut si zëvendëskryeministre, Rama emëroi Albana Koçiun. Koçiu u largua nga pozicioni i ministres së Brendshme, ku u emërua Besfort Lamallari. Lamallari, i cili më parë mbante postin e ministrit të Drejtësisë, ia lë vendin Toni Gogut. Në postin e ministrit për Marrëdhënie me Parlamentin, që më parë mbahej nga Gogu, do të jetë deputetja e Vlorës, Erjona Ismajli.

Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi, do të marrë drejtimin e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke zënë vendin e Ballukut. Kryeministri shkarkoi gjithashtu Pirro Vëngun nga posti i Ministrit të Mbrojtjes. Në vend të tij, u emërua Ermal Nufi. Ndërsa në vend të Spiropalit, në ministrinë e Punëve të Jashtme, u emërua Ferit Hoxha, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB.

VOTIMI PËR EMËRIMET

  • 1-Albana Koçiu – zv.kryeministre: 83 vota pro, 3 kundër
  • 2-Ferit Hoxha – ministër i Jashtëm: 83 pro, 4 kundër
  • 3-Besfort Lamallari – ministër i Brendshëm: 83 vota pro, 4 kundër
  • 4-Ermal Nufi – ministër i Mbrojtjes: 83 vota pro, 6 kundër
  • 5-Toni Gogu – ministër i Drejtësisë: 83 vota pro, 5 kundër
  • 6-Enea Karakaçi – ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë: 83 vota pro, 6 kundër
  • 7-Eriona Ismaili – ministre e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin: 82 vota pro, 4 kundër
Scroll to Top