Izraeli bombardoi aeroportin në Isfahan, në shënjestër avionë F-14 dhe komandantë të Gardës Revolucionare
Forcat e Armatosura të Izraelit njoftuan se kanë kryer një seri sulmesh ajrore kundër objektivave ushtarake në Iran dhe Liban, si pjesë e operacioneve të tyre të fundit në rajon.
Sipas njoftimit zyrtar, avionë luftarakë izraelitë goditën komplekse në aeroportin e Isfahanit në Iran, ku, sipas ushtrisë izraelite, ruheshin avionë luftarakë F-14 që i përkisnin forcave iraniane. Operacioni, i cili u zhvillua të shtunën dhe u mbështet nga inteligjenca ushtarake, kishte në shënjestër hangarët dhe objektet ku ndodheshin avionët.
Po ashtu, ushtria izraelite tha se u goditën edhe sistemet e zbulimit dhe të mbrojtjes ajrore, të cilat, sipas saj, përbënin kërcënim për avionët e saj.
Sulmi në hotel në qendër të Bejrutit
Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite konfirmoi edhe një operacion në qendër të Bejrutit, ku u godit hoteli Ramada Beirut Downtown. Sulmi ndodhi disa orë pasi u raportua se të paktën katër persona u vranë dhe dhjetë të tjerë u plagosën nga një goditje ajrore në hotel.
Sipas IDF-së, operacioni kishte për qëllim eliminimin e komandantëve të lartë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike që vepronin në Liban, veçanërisht zyrtarë të Forcës elitare Quds Force.
Ushtria izraelite tha se bëhej fjalë për një “sulm preciz”, duke shtuar se ishin marrë masa për të minimizuar rrezikun e viktimave civile.
“Regjimi iranian vepron sistematikisht midis popullatës civile, si në Iran ashtu edhe në Liban, duke shfrytëzuar banorët si mburoja njerëzore për të çuar përpara planet e tij,” thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.
Sipas agjencisë Reuters, ky konsiderohet sulmi i parë i këtij lloji në zemër të kryeqytetit libanez që nga momenti kur Izraeli rifilloi sulmet ajrore kundër Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Teherani, paralelisht me operacionet ushtarake kundër Iranit.
Më herët, ushtria izraelite kishte njoftuar gjithashtu për një valë të re sulmesh ajrore në periferitë jugore të Bejrutit, një zonë që konsiderohet bastion i Hezbollahut.
