Aksident tragjik në Levan-Tepelenë: Nertila Abazaj humb jetën

Zbulohet identiteti i shoferes që humbi jetën në Levan-Tepelenë

Është zbuluar identiteti i viktimës në aksidentin tragjik që ndodhi sot në kryqëzimin Varibop–Levan-Tepelenë.

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, si dhe atyre zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë, një automjet tip “Kia”, që drejtohej nga një shtetase 39-vjeçare, e identifikuar si Nertila Abazaj, ka dalë nga rruga e fshatit Varibop për të hyrë në autostradën Levan-Tepelenë.

Në momentin e hyrjes në autostradë, automjeti i saj është përplasur nga një furgon që qarkullonte në këtë aks rrugor. Si pasojë e goditjes së fortë, 39-vjeçarja ka humbur jetën në vendngjarje.

Drejtuesi dhe pasagjeri që ndodheshin në furgon janë transportuar drejt Spitalit Rajonal Fier për të marrë ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas aksidentit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe patrulla e qarkullimit rrugor për të normalizuar lëvizjen e automjeteve në këtë segment. Gjithashtu, janë thirrur edhe shërbimet zjarrfikëse për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës nga automjeti.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti tragjik.

Scroll to Top