Berisha me gratë për 8 Marsin: Rama, kryeministri më mizogjen që ka pasur Shqipëria
Në një aktivitet të organizuar me rastin e 8 Marsit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Shqipëria po përballet me një “regjim të mizogjenisë”. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama si kryeministrin më mizogjen që ka pasur vendi.
“Shqipëria është e famshme, famëzezë, për vrasjen e grave. Kanuni kishte kufizimet e tij të mëdha, por gruas i jepte garanci të plotë jete. Gratë dhe fëmijët i përjashtonte në mënyrë absolute nga çdo lloj hakmarrje. Kurse këtu, numri i grave që vriten barbarisht nga njerëz mizorë, është dy herë më i lartë sesa të gjithë Europën marrë së bashku. Sepse ky është regjimi i mizogjenisë. Ky është regjimi i banditëve, të cilët nuk kanë norma.”
Duke iu referuar ngjarjeve të fundit në parlament, Berisha shtoi: “Ju e patë çfarë ndodhi dje në parlament. Dhe unë duhet të dënoj me forcën më të madhe, t’i shpreh solidaritetin tim më të madh Albanës, e cila u agresua në atë mënyrë në parlament vetëm e vetëm se ka përfaqësuar me dinjitet ju. Ajo, në të gjitha tryezat kombëtare e ndërkombëtare ka qenë zëri juaj, zëri juaj i guximshëm.”
Ai tregoi një episod ku përkthyesja e ambasadës refuzoi të përkthente fjalë kundër qeverisë: “Takon këtu dy përfaqësues të lartë të një vendi. Ata kishin përkthyesen e ambasadës së tyre. Dhe përkthyesja i thotë, ‘Unë nuk t’i përkthej këto fjalë që thua ti kundër qeverisë’. Ai e kuptoi bashkëbiseduesi i Albanës domethënë, por dua të them, në këtë kaq urrejtje dhe kaq paturpësira, por ajo është e pamposhtur, siç jeni ju të pamposhtura, siç keni faktuar vetë ju në qindra herë që jeni të pamposhtura.”
Sipas Berishës, ata që lejojnë vetes sjellje të tilla dëshmojnë një degradim të plotë moral. “Absolutisht në historinë e këtij vendi, kryeministër më mizogjen, as Shqipëria, as Europa nuk ka pasur se Edi Rama. Këtë ta kemi shumë të qartë. Ai është simbol i mizogjenizmit” – deklaroi Berisha.
