Emiratet e Bashkuara Arabe mohojnë përfshirjen në sulmin ndaj një uzine desalinimi në Iran
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mohuar kategorikisht çdo përfshirje në një sulm ndaj një uzine desalinimi në Iran. Ky mohim vjen pas raportimeve që sugjeronin se sulmi mund të ishte një reagim ndaj sulmeve të fundit iraniane me dronë dhe raketa në rajonin e Gjirit.
Sipas një zyrtari të lartë të cituar nga The Jerusalem Post, Emiratet nuk kanë kryer asnjë operacion të tillë. Burimet e gazetës theksuan se në rast përfshirjeje në konflikt, Emiratet nuk do të synonin objekte politike, por vetëm objektiva ushtarake.
Raportimet për një sulm të mundshëm erdhën pas lajmeve se edhe Katari dyshohet se kishte kryer goditje brenda Iranit si hakmarrje për sulmet iraniane ndaj vendeve të Gjirit.
Ndërkohë, Abu Dhabi po shqyrton hapat e ardhshëm pas përshkallëzimit të situatës në rajon, që pas sulmeve të nisura nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kundër Iranit më 28 shkurt.
Javën e kaluar, në zonën industriale të naftës në Fujairah shpërtheu një zjarr pasi mbeturinat e një droni të rrëzuar nga mbrojtja ajrore ranë në zonë.
Sipas një raporti të The Wall Street Journal, Emiratet po shqyrtojnë edhe masa ekonomike ndaj Teherit, përfshirë mundësinë e ngrirjes së miliarda dollarëve të aseteve iraniane. Ky hap mund të dëmtojë ndjeshëm lidhjet ekonomike të Iranit me sistemin financiar ndërkombëtar.
