Raporti i SPAK: Veprimtaria e Prokurorisë së Posaçme në vitin 2025
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar raportin vjetor të veprimtarisë së saj gjatë vitit 2025. Sipas raportit, SPAK ka hetuar gjithsej 871 procedime penale gjatë vitit të kaluar. Nga këto, 294 ishin të reja, 39 prej të cilave u bashkuan me çështje ekzistuese, ndërsa 577 ishin procedime të mbartura nga viti 2024.
SPAK thekson se rreth 29% e çështjeve dhe hetimeve të përfunduara janë transferuar tek prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm. Ky tregues shënon një rënie të ndjeshme krahasuar me mesataren e periudhës 2021-2024.
Megjithëse numri i çështjeve të dërguara në gjykatë ka rënë me 19.5%, numri i personave të përfshirë në këto çështje është rritur me 13.5%. Kjo tregon një fokusim të hetimeve drejt çështjeve më komplekse, që përfshijnë më shumë individë.
Raporti sqaron më tej se “Volumi i hetimeve penale është rritur edhe gjatë vitit 2025 krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit 2025, janë hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë procedimet e reja, të regjistruara gjatë vitit 2025 dhe 39 prej të cilave janë bashkuar, ndërsa 577 janë të mbartura nga viti 2024. Krahasuar me vitin 2024, kjo përfaqëson një rritje prej 4.9% të volumit të hetimeve penale (nga 793 në 832). Po ashtu, raporti mes procedimeve penale të reja dhe çështjeve/hetimeve të përfunduara u rrit me rreth 6.67% gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024.”
Sa i përket mbylljes së hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka treguar qëndrueshmëri, duke përfunduar 216 çështje/hetime në vitin 2025, duke ruajtur të njëjtin nivel me vitin 2024. Siç u përmend më parë, edhe pse numri i çështjeve të dërguara në gjykatë ka rënë me 19.5%, numri i personave të përfshirë në këto çështje është rritur me 13.5%. “Kjo dhënë, një reflektim të qasjes më strategjike dhe të fokusuar të SPAK në ndjekjen penale gjatë këtij viti raportues.”, thuhet në raportin e SPAK.
Hetimet për Korrupsionin
Lidhur me hetimet për korrupsionin, SPAK ka hetuar 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë. Nga këta, 18 janë dërguar për gjykim dhe 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Raporti thekson se “Në vitin 2025, SPAK ka vijuar të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, duke regjistruar një rritje prej 17.7% të çështjeve/hetimeve të reja dhe 12.2% të çështjeve/hetimeve të përfunduara. Ky aktivitet i shtuar reflektohet në dërgimin në gjykatë të 24 procedimeve me 147 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe 10 procedimeve me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë. SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, me 6 procedime të reja dhe 16 persona nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetim gjatë vitit 2025, mbi 50% e tyre (18) janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke treguar qëndrueshmëri dhe efektivitet në ndjekjen penale në nivelet më të larta të administratës publike.”, njofton SPAK.
Masat e Sigurimit
SPAK ka aplikuar një politikë penale në përputhje me standardet ndërkombëtare për masat e sigurimit. Numri i të paraburgosurve me kërkesë të Prokurorisë përbën vetëm 12% të totalit të të paraburgosurve, ndërsa numri i të burgosurve të dënuar me burg nga hetimet e SPAK përbën 11% të numrit total të tyre.
Gjithashtu, është regjistruar një rënie prej rreth 53.4% në përdorimin e masës arrest në burg, duke u favorizuar masat alternative.
