Berisha: Rama korrupt, Porti Durrësit me rusët kundër NATO

Berisha: Porti i Durrësit do të ndërtohet me rusët, kundër NATO-s!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot nga konferenca për shtyp kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar si të përfshirë në të gjitha aferat dhe skandalet korruptive në Shqipëri, ku ka lënë firmën në koncesione dhe prokurime.

Ai theksoi se Porti i Durrësit, me vlerë 4 miliardë dollarë dhe pasuri e popullit shqiptar, është shkatërruar dhe tani po sjell rusët për të ndërtuar, për interesat e tij dhe kundër partnerëve strategjikë të vendit, si NATO.

“I vetmi kryeministër në botë dhe Evropë që ka fytyrën e tij të zezë mbi objektet publike me vlerë 130 milionë euro, siç janë inceneratorët e Tiranës, të cilët nuk ekzistojnë. Rama ka dorën e tij të zezë në koncesionet e shëndetësisë, gjobë për shkatërrimin e sistemit shëndetësor dhe pasurimin e tij. Ka firmën e tij mbi të gjitha tenderat e rrugëve që shemben sikur të ishin rrugë kashte dhe të ndërtuara deri në 8 herë mbi çmimin evropian. Ka dorën e zezë mbi shkatërrimin e Portit të Durrësit, pasuri kombëtare me vlerë 4 miliardë euro. Ai u përpoq të tërhiqej nga alternativa e NATO-s, por dështoi me turp dhe tani kërkon ta ndërtojë me rusët dhe të tjerët, që kanë interesa të kundërta strategjike me NATO-n dhe Shqipërinë,” tha kreu i selisë blu.

Berisha theksoi se kryeministri, nëpërmjet mbrojtjes së Belinda Ballukut, po mbron veten e tij, duke aneksuar Parlamentin dhe mbrojtur të korruptuarit. Sipas tij, “Rama është i gatshëm për çdo skenar.”

“Ai tregoi sot se është i gatshëm për çdo skenar, që të mos paraqitet para ligjit dhe drejtësisë. Ndaj sot fjala është e qytetarëve, Parlamenti është totalisht i aneksuar, instrument i narkodiktaturës, i pushtuar nga Rama, drejtësia shumëzohet me zero nga Rama. Ai garantoi qytetarët se vjedhja nga zyrtarët nuk do të ndëshkohet, se nuk do të konsiderohet krim për qeveritarët,” vijoi lideri i opozitës.

Tani, për kryedemokratin, fjala i takon qytetarëve shqiptarë dhe bëri thirrje që më 12 mars të mblidhet e gjithë Shqipëria para Parlamentit.

“Fjala është e qytetarëve, në datën 12 e gjithë Shqipëria para Parlamentit, në protestën më të fuqishme që ka njohur vendi. Unë kam bindjen se shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike dhe që jetojnë me djersën e ballit, nuk do pajtohen kurrë me vendimin e Ramës që thonë se vjedhja e tij dhe e qeveritarëve nuk mund të ndëshkohet,” deklaroi ai.

Scroll to Top