Irani zgjedh liderin e ri; Izraeli kërcënon me sulme

Irani zgjedh Ajatollahun e ri; Izraeli kërcënon: Do shënjestrojmë çdo pasardhës të Khameneit

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë paralajmëruar se do të shënjestrojnë këdo që do të marrë postin e udhëheqësit suprem të Iranit pas Ajatollah Ali Khameneit, i cili dyshohet të ketë vdekur.

Sipas informacioneve, Khamenei dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë iranianë humbën jetën në valën e parë të sulmeve ajrore të kryera nga SHBA-Izraeli më 28 shkurt.

Pas një jave konsultimesh, Asambleja e Ekspertëve, organi klerik përgjegjës për zgjedhjen e udhëheqësit suprem, njoftoi të hënën se djali i Khameneit, Mojtaba, është zgjedhur si pasuesi i tij.

Një deklaratë e lëshuar nga IDF në gjuhën farsi, pak orë para njoftimit zyrtar të Asamblesë, përmbante një paralajmërim për anëtarët e saj:

“Dora e Shtetit të Izraelit do të vazhdojë të ndjekë çdo pasardhës dhe çdo person të përfshirë në emërimin e tij,” theksoi IDF, duke shtuar se “nuk do të hezitojë të shënjestrojë” klerikët që marrin pjesë në mbledhjet e asamblesë.

Javën e kaluar, Izraeli kishte goditur selinë e Asamblesë në Qom, por sulmi nuk arriti të pengonte procesin e zgjedhjes së një udhëheqësi të ri.

Ali Larijani, zyrtari më i lartë i sigurisë në Iran, deklaroi se emërimi i Mojtaba Khameneit tregon dështimin e SHBA-së dhe Izraelit për të shkaktuar kaos në vend pas vdekjes së Ali Khameneit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kishin përmendur ndryshimin e regjimit si një nga synimet e tyre kryesore në këtë konflikt. Trump kishte kërkuar dorëzim pa kushte dhe kishte theksuar se udhëheqësi i ardhshëm suprem nuk do të mbetej “për shumë kohë” nëse Irani nuk pranonte kërkesat e tij.

Zyrtarët iranianë dhe ushtria janë zotuar të vazhdojnë rezistencën e tyre.

Scroll to Top