Nafta shtrenjtohet sërish, arrin gati 190 lekë për litër
Nga dita e enjte, më 4 Mars 2026, është vënë re një rritje e vazhdueshme e çmimit të naftës në tregun vendas të shitjeve me pakicë. Kjo rritje lidhet me ndryshimet e shpejta të çmimit në bursat e huaja. Pas fillimit të sulmeve në Lindjen e Mesme, çmimet e naftës në tregun e pakicës janë ndryshuar tre herë, duke arritur sot në disa pika në Tiranë në nivelin e 189 lekëve për litër.
Krahasuar me çmimin para nisjes së sulmeve, nafta është shtrenjtuar me 14 lekë për litër. Një vëzhgim i kryer sot nga “Monitor” tregon se në disa pika me pakicë, çmimi është rritur sërish me 7 lekë për litër. Nga 182 lekë që ishte ditën e premte, më 6 Mars, çmimi i naftës ka arritur në 189 lekë për litër.
Çmimi i rritur në Tiranë është regjistruar në pikën e kompanisë “Elda”, pranë zonës së Oxhakut, ku nafta ka arritur 189 lekë për litër.
Rritje për disa pika pakice është shënuar edhe për çmimin e benzinës. Në një nga pikat e kompanisë “Coral”, pranë “Casa Italia”, çmimi i benzinës ka arritur 186 lekë për litër, ndërsa nafta është tregtuar me 181 lekë për litër.
Çmimet e kompanisë “Gega”, në një nga pikat e saj pranë Tregut Ushqimor, tregojnë se çmimi i naftës është 182 lekë për litër dhe ka mbetur i pandryshuar nga çmimi i ditës së premte, 6 Mars.
Çmimet rezultojnë të pandryshuara edhe përgjatë autostradës. Në një nga pikat e kompanisë “Kastrati” në Vorë, çmimi i naftës është 182 lekë për litër. Kompania “Alpet”, në një nga pikat e saj pranë rrugës dytësore të autostradës, rezulton me çmim të pandryshuar prej 182 lekë për litër.
Rritja e çmimit të naftës në tregun e pakicës nisi më 4 Mars, me 4 lekë për litër. Nga 175 lekë, çmimi arriti në 179 lekë për litër. Çmimi prej 175 lekë për litër kishte mbetur i pandryshuar që nga tetori 2024. Më tej, më 6 Mars, çmimi u rrit sërish me 3 lekë, duke arritur në 182 lekë për litër.
Rritja e sotme e çmimeve në tregun e pakicës vjen menjëherë pas ndryshimeve që, në mbrëmjen e djeshme, pësoi çmimi i naftës në bursat e huaja, duke arritur në nivelin e 100 USD për fuçi. Ndërsa mëngjesin e sotëm, çmimi arriti në 103 USD për fuçi. Para nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme, nafta në bursë tregtohej me çmim 65 USD për fuçi.
