Shoqata e Transportit i Drejtohet Ministrisë së Financave dhe Energjisë: Kompensoni Rritjen e Çmimit të Naftës
Rritja e çmimit të naftës gjatë javës së fundit, e shkaktuar nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme, po ndikon drejtpërdrejt në kostot operuese të operatorëve të transportit urban publik. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, në një letër drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe bashkive, ka ngritur shqetësimin lidhur me shtrenjtimin e naftës me 45 deri në 50 lekë për litër brenda një jave.
Shoqata kërkon marrjen e masave për vlerësimin e situatës dhe shqyrtimin e mundësisë për dhënien e kompensimeve për rritjen e çmimit të naftës. Në të kundërt, operatorët kërcënojnë me reduktimin e numrit të autobusëve në qarkullim.
Sipas operatorëve, çmimi i naftës deri më 27 shkurt ishte rreth 142-145 lekë me TVSH (ky është çmimi me shumicë për furnizimin e operatorëve nga Porto Romano në pikat e shitjes me shumicë të hidrokarbureve). Aktualisht, operatorët po furnizohen me çmim 187 lekë me TVSH, duke shënuar një rritje prej 42-45 lekësh për litër me TVSH brenda gati një jave.
Në letër thuhet:
- “Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban dëshiron të sjellë në vëmendjen tuaj një problematikë shumë serioze që po prek aktualisht operatorët e transportit publik dhe që lidhet drejtpërdrejt me rritjen e ndjeshme të kostove operative, kryesisht të karburantit. Transporti publik përbën një shërbim me interes të lartë publik dhe një element të rëndësishëm të funksionimit të jetës urbane dhe interurbane. Operatorët që ofrojnë këtë shërbim përballen çdo ditë me një sërë kostosh operative, ndër të cilat karburanti përbën një nga zërat kryesorë të shpenzimeve. Nga analiza e faturave të furnizimit me karburant të operatorëve të transportit publik rezulton se çmimi i naftës ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë periudhës së fundit. Konkretisht, nga faturat e furnizimit rezulton se para fillimit të krizës së fundit të çmimeve, çmimi i furnizimit me naftë për operatorët ka qenë rreth 145 lekë/litër. Në faturat më të fundit, çmimi i furnizimit rezulton me një rritje nga 45-50 lekë më shumë. Duke pasur parasysh se operatorët e transportit publik kryejnë furnizime të tilla disa herë në muaj për të mbuluar aktivitetin e përditshëm urbanë/interurbane, kjo rritje përkthehet në një rritje shumë të konsiderueshme të kostove mujore dhe vjetore të operimit.”
Në këtë situatë, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon nga institucionet përkatëse:
- 1. Vlerësimin e situatës së krijuar dhe ndikimit që rritja e çmimit të karburantit ka në kostot e operimit të transportit publik.
- 2. Shqyrtimin e mundësisë së aplikimit të mekanizmave kompensues ose subvencionues për karburantin e përdorur nga operatorët e transportit publik.
- 3. Vlerësimin e mundësisë së subvencionimit të drejtpërdrejtë të karburantit për sektorin e transportit publik ose krijimin e një mekanizmi të posaçëm mbështetës për këtë shërbim publik.
Artikulli sjell në pah rastin e vitit 2022, ku për shkak të shtrenjtimit të naftës pas fillimit të luftës Ukrainë-Rusi, qeveria vendosi rimbursimin me 100 lekë për litër për naftën e shpenzuar gjatë muajve gusht-shtator-tetor. Kjo masë nisi të zbatohej nga 1 nëntori 2022 dhe ishte pjesë e paketës së dytë anti-krizë. Një paketë e ngjashme u përdor edhe për muajt mars-prill-maj 2022. Megjithatë, për muajt qershor dhe korrik, transporti urban vuajti shtrenjtimin e kostove për shkak të mungesës së subvencionimit. Operatorët, në muajin gusht, paralajmëruan ndërprerjen e shërbimit nëse qeveria nuk merrte masa.
