Imuniteti Ballukut: BE shqetësohet, Rama kundërshton SPAK

Imuniteti i Ballukut: Ambasadori Gonzato thirret për raportim në Bruksel

Ditën kur kryeministri Edi Rama konfirmoi se Partia Socialiste do të votojë kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, kreu i delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato, u thirr në Bruksel për të raportuar mbi situatën në Shqipëri.

Mbledhja e Grupit të Punës për Zgjerimin pranë Këshillit të Bashkimit Europian, e cila prej muajsh nuk e kishte përfshirë në rendin e punimeve diskutimin për zgjerimin me Shqipërinë, u riaktivizua pas ndryshimeve në kabinetin qeveritar në Tiranë. Një nga çështjet e diskutuara ishte edhe imuniteti i parlamentarëve.

Sipas informacioneve të siguruara nga A2 CNN nga zyrtarë të Komisionit Europian, Silvio Gonzato informoi përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian jo vetëm mbi reformat e ndryshme, por edhe mbi çështjen Balluku dhe reformën në Drejtësi. Këto çështje lidhen drejtpërdrejt me progresin e Shqipërisë në kapitullin e parë të negociatave, i cili përfshin çështjet themelore.

Raporti i shumicës parlamentare për çështjen Balluku do të votohet të enjten në seancë plenare. Votat e socialistëve pritet të jenë më se të mjaftueshme për të rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizim nga Kuvendi, që synon vendosjen e një mase më të rëndë shtrënguese për ish-zëvendëskryeministren.

Scroll to Top