Gjykata Kushtetuese shprehet se mbyllja e TikTok një vit më parë nuk duhej të kishte ndodhur.
Gjykata Kushtetuese ka argumentuar se mbyllja e platformës TikTok, e cila u vendos një vit më parë nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama, ka cenuar lirinë e shprehjes.
Ky vendim është dhënë sot, një vit pasi Përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë depozituan një kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për bllokimin e rrjetit social.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, bllokimi i TikTok përbën një ndërhyrje në të drejtën për lirinë e fjalës dhe shprehjes, një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta. Gjykata thekson se çdo kufizim i tillë duhet të jetë i arsyetuar dhe proporcional me qëllimin që synon të arrijë.
“Për themelin e pretendimeve, gjykata arriti në përfundimin se ndërprerja e aksesit në platformën TikTok përbën kufizim të lirisë së shprehjes dhe të shtypit dhe për këtë shkak ajo vlerësoi të analizojë këtë kufizim në këndvështrim të kritereve të nenit 17 të Kushtetutës, pra nëse ai është bërë me ligj, për interes publik dhe nëse është respektuar kriteri i përpjesëtimit midis ndërhyrjes dhe gjendjes që e ka diktuar atë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Gjykata po ashtu arsyeton se vendimi duhej të merrej me ligj dhe jo me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM). Sipas Gjykatës, VKM-të nuk i japin Këshillit të Ministrave një autorizim të qartë, të posaçëm dhe të parashikueshëm për vendosjen e një mase me karakter të përgjithshëm, siç është ndërprerja e plotë e aksesit të platformës online për të gjithë përdoruesit në të gjithë vendin. Në këto kushte, thekson Gjykata, një VKM nuk mund të konsiderohet akt që detajon një kufizim të parashikuar vetëm nga ligji.
