Protesta e opozitës: Policia njofton rrugët me qarkullim të bllokuar
Opozita ka paralajmëruar një tubim për nesër, në orën 10:00, para Kuvendit të Shqipërisë. Ky tubim përkon me seancën plenare ku do të votohet refuzimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Në përputhje me ligjin “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Si pjesë e këtyre masave, nesër nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, do të kufizohet qarkullimi i automjeteve në Rrugën George W. Bush, pranë Parlamentit.
Autoritetet bëjnë me dije se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të vendosen kufizime të përkohshme edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimesh, policia ka planifikuar devijimin e automjeteve në rrugë alternative për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
Drejtoria e Policisë së Tiranës u ka kërkuar mirëkuptim qytetarëve për këto kufizime të përkohshme të qarkullimit. Gjithashtu, u bëhet apel qytetarëve të distancohen në rast se hasin veprime të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
