Dalin shifrat: Rreth dy mijë persona kanë humbur jetën nga lufta në Lindjen e Mesme
Qindra njerëz janë vrarë në të gjithë Lindjen e Mesme që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan Iranin më 28 shkurt. Vendet e Gjirit, duke strehuar baza dhe personel ushtarak amerikan, si dhe Libani, u përfshinë shpejt në konflikt.
Shifra e viktimave për 11 vendet e Gjirit dhe Lindjes së Mesme arrin në rreth 2 mijë, përfshirë edhe personel ushtarak. Më poshtë janë numrat e vdekjeve të njoftuara nga secili vend deri më datën 11 mars, pa qenë të mundur konfirmimi për të gjitha rastet:
- IRAN: Të paktën 1,270 persona janë vrarë, sipas mediave shtetërore. Ky numër përfshin 40 persona të vrarë të hënën gjatë një sulmi izraelit në një zonë banimi të Teheranit. Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saeed, ka deklaruar se më shumë se 1,300 civilë kanë humbur jetën në luftë. Arsyeja për mospërputhjen e numrave nuk është e qartë. Ushtria iraniane njoftoi se të paktën 104 marinarë u vranë kur një anije luftarake iraniane u torpedua nga një nëndetëse amerikane pranë Sri Lankës më 4 mars.
- LIBAN: Të paktën 594 persona janë vrarë në sulmet izraelite, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit. Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se të paktën 84 prej tyre ishin fëmijë.
- IRAK: Të paktën 16 persona janë vrarë, sipas policisë irakiane dhe burimeve shëndetësore. Një komandant i Rezistencës Islamike në Irak, një organizatë ombrellë që përfshin të gjitha grupet e armatosura pro-iraniane, u vra në një sulm ajror ndaj automjetit me të cilin po udhëtonte më 5 mars, sipas burimeve policore.
- IZRAEL: Dymbëdhjetë persona janë vrarë. Ky numër përfshin nëntë persona të vrarë në një sulm me raketa iraniane në qytetin Beit Shemesh pranë Jerusalemit më 1 mars, sipas shërbimit të ambulancës Magen David Adom. Ushtria izraelite njoftoi se dy ushtarë u vranë në Libanin jugor, duke shënuar viktimat e para midis trupave të saj që nga rifillimi i luftimeve me Hezbollahun javën e kaluar, kur grupi i armatosur sulmoi Izraelin si shfaqje mbështetjeje për Iranin.
- SHBA: Shtatë ushtarë amerikanë u vranë gjatë operacioneve kundër Iranit, njoftoi ushtria amerikane.
- SIRI: Katër persona u vranë kur një raketë iraniane goditi një ndërtesë në qytetin jugor sirian të Sëeidës më 28 shkurt, raportoi agjencia e lajmeve SANA.
- EMIRATET E BASHKUARA ARABE: Katër persona u vranë në sulmet iraniane, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe.
- ARABIA SAUDITE: Dy persona u vranë kur një raketë goditi një zonë banimi në qytetin Al-Kharj, në juglindje të Riadit.
- BAHREJN: Dy persona u vranë në dy sulme të ndara iraniane, i fundit prej të cilëve goditi një ndërtesë banimi në kryeqytetin Manama, sipas Ministrisë së Brendshme.
- KUVAJT: Dy persona, përfshirë një fëmijë, u vranë në sulmet iraniane ndaj vendit, tha ministria e shëndetësisë. Gjithashtu, dy punonjës të ministrisë së brendshme dhe dy ushtarë u vranë gjatë kryerjes së detyrës, tha ushtria.
- OMAN: Një person u vra kur një raketë goditi tankerin MKD VYOM me flamur të Ishujve Marshall në brigjet e Muskatit.
