I dënuar në Itali për vjedhje, ndalohet në Durrës 42-vjeçari me disa identitete
Një 42-vjeçar është ndaluar nga policia pasi tentoi të hynte në Shqipëri duke përdorur disa identitete për t’i shmangur identifikimit nga autoritetet. Gjatë verifikimeve të detajuara u konstatua se ky shtetas ishte në kërkim nga autoritetet italiane.
Si pasojë e veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë Kufitare bënë ndalimin e shtetasit Armando Valchizan, i njohur edhe me emrat Armando Dervishi, Armando Gheorghe, Altin Dervishi dhe Martin Dervishi, 42 vjeç, me qëllim ekstradimin e tij në Itali.
Sipas njoftimit të policisë, 42-vjeçari tentoi të hynte në Shqipëri duke përdorur disa identitete për t’i shmangur identifikimit, pasi ishte i dënuar në Itali me mbi 5 vjet burgim për vjedhje me pasoja të rënda dhe për emigracion të paligjshëm.
Gjatë verifikimeve të detajuara në hyrje/dalje të Shqipërisë, me qëllim parandalimin e paligjshmërive dhe lëvizjes ilegale të shtetasve të shpallur në kërkim, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port, Durrës, kanë konstatuar se një shtetas që synonte të hynte në Republikën e Shqipërisë, rezultonte në kërkim nga autoritetet italiane.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë Kufitare bënë ndalimin e shtetasit, me qëllim ekstradimin në Itali.
Verifikimet zbuluan se Gjykata e Pordenones e kishte dënuar këtë shtetas me 5 vjet, 9 muaj e 5 ditë burgim, për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda” dhe për emigracion të paligjshëm.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për të finalizuar procedurën e ekstradimit të këtij shtetasi drejt Italisë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
