SPAK: Pastrimi i parave po bëhet një praktikë e qëndrueshme në Shqipëri
Pastrimi i parave në ekonominë shqiptare po kalon nga modelet sporadike drejt metodave më të qëndrueshme dhe të sofistikuara.
Në raportin e saj vjetor drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) thekson se, nga analiza e rasteve të hetuara mbi veprimtarinë e grupeve të strukturuara kriminale gjatë viteve të fundit, vihet re një model i integruar i pastrimit të parave. Ky model është ngushtë i lidhur me veprimtaritë kryesore kriminale nga ku burojnë këto të ardhura, siç janë trafiku i narkotikëve, trafiku i armëve, emigrimi i paligjshëm, trafikimi i qenieve njerëzore dhe skemat mashtruese financiare.
Sipas SPAK, skemat e pastrimit të parave karakterizohen nga:
- Diversifikimi i kanaleve për transferimin dhe fshehjen e fondeve.
- Përfshirja e sistemeve informale të transferimit të vlerave (Havala).
- Përdorimi i kriptovalutave.
- Qarkullimi intensiv i parasë në dorë (cash).
- Fragmentimi i transaksioneve për të shmangur raportimin financiar.
Në disa raste, konstatohet përdorimi i rrjeteve ndërkombëtare me pika operacionale në disa shtete. Këto rrjete ndajnë funksionet për gjenerimin e të ardhurave kriminale, transferimin e tyre dhe riintegrimin në ekonomi përmes ndërmjetësve dhe strukturave mbuluese.
Përdorimi i komunikimeve të enkriptuara dhe i ndërmjetësve të specializuar financiarë rrit nivelin e fshehtësisë dhe vështirëson gjurmimin e këtyre transaksioneve monetare.
Tipare të përsëritura në raste të ndryshme përfshijnë:
- Përdorimi i subjekteve tregtare formalisht të ligjshme si mbulesë për qarkullimin dhe riciklimin e fondeve. Këto përfshijnë zyra këmbimi valutor, shoqëri transfertash parash, agjenci udhëtimi, subjekte ndërtimi dhe tregtare, si dhe struktura financiare jobankare.
- Këto aktivitete nuk shërbejnë vetëm për depozitimin dhe shpërndarjen e shumave, por edhe për krijimin e dokumentacionit fiktiv.
Një karakteristikë veçanërisht e rëndësishme është shpërndarja e përfitimeve brenda rrjeteve. Personat që kryejnë transferimin dhe transportin e parave zakonisht përfitonin 3% deri në 10% të shumës së dërguar. Norma mesatare ishte rreth 5%-6%, e ndarë mes koordinatorëve në vendin e origjinës dhe atyre në vendin pritës. Transportuesit fizikë merrnin shpërblim më të ulët, rreth 1%-5% ose një pagesë fikse për çdo dërgesë.
Faza përmbyllëse e pastrimit përfshin investime në pasuri të paluajtshme, biznese me qarkullim të lartë paraje në dorë dhe aktivitete tregtare me kontroll të brendshëm të dobët. Qëllimi është integrimi i të ardhurave kriminale në ekonominë formale.
Në përgjithësi, sipas SPAK, rastet tregojnë një kalim nga modelet sporadike drejt arkitekturave të qëndrueshme dhe shumëanshme të pastrimit të parave, të mbështetura nga organizim i sofistikuar, bashkëpunim ndërkombëtar dhe përdorimi i mjeteve financiare alternative.
