AAK: Kurti përgjegjës për krizën në Kosovë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) konsideron situatën aktuale në vend si më të rëndën pas pavarësisë, duke vënë në dukje bllokadën e krijuar për shkak të mungesës së gatishmërisë për zgjedhjen e presidentit.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke theksuar se edhe me mbështetjen e 51% të votave, nuk po arrin të krijojë një shtet funksional.
“Jemi përballë njërës prej krizave më të thella, me shumë të panjohura, ku shteti është rikthyer në një situatë ku për më shumë se një vit, tash në vitin e dytë, po përjeton një eksperimentim teorik të betejave kushtetuese”, u shpreh Tahiri.
Ai shtoi se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është kushtetues dhe kritikoi ashpër sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese nga përfaqësues të LVV-së.
“Duhet të ndalet sulmi ndaj Gjykatës Kushtetuese, duhet të ndalet presioni”, theksoi ai.
Tahiri konsideron të nevojshëm bashkëpunimin opozitar në zgjedhjet e ardhshme, duke shtuar se çdo bashkim duhet të jetë kundër çdo pushteti dhe duhet të ketë një vizion shtetëror, jo vetëm profil politik.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese po shqyrton ankesën e Vetëvendosjes lidhur me dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Ky dekret u shpall nga presidentja, duke u bazuar në afatet kushtetuese, pasi deputetët nuk arritën të zgjedhin presidentin e ri deri më 5 mars.
