Irani akuzon BE për bashkëfajësi në luftë

Irani shpall Bashkimin Evropian “bashkëfajtor” në luftë

Ministria e Jashtme e Iranit akuzoi sot Bashkimin Evropian për “bashkëpunim” në luftën amerikano-izraelite kundër Iranit.

“Indiferenca dhe pranimi i heshtur i Bashkimit Evropian përballë agresionit, dhunës dhe mizorive të SHBA-së dhe Izraelit nuk është asgjë më pak se bashkëfajësi. Bota po e sheh këtë”, tha zëdhënësi i ministrisë, Esmaeil Baqaei.

Për të mbështetur këtë pretendim, Baqaei shpërndau një video të eurodeputetit belg të së majtës, Marc Botenga, i cili gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian në Strasbourg deklaroi se shumë politikanë europianë nuk po dënojnë agresionin, por po e mbështesin luftën kundër Iranit.

Brenda Bashkimit Evropian, qëndrimet për konfliktin në Lindjen e Mesme janë të ndryshme.

  • Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është shprehur se “nuk duhet derdhur lot për rënien e regjimit iranian”.
  • Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, paralajmëroi se goditjet e urdhëruara nga presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të destabilizojnë më tej rajonin.
  • Disa vende, si Spanja, kanë kritikuar më ashpër veprimet ushtarake, ndërsa Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë mbajtur qëndrime më të rezervuara.

Deklaratat e Baqaei erdhën vetëm pak orë pasi kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, paralajmëroi se çdo sulm ndaj ishujve iranianë do të “thyejë çdo vetëpërmbajtje” nga ana e Teheranit.

“Gjaku i ushtarëve amerikanë është përgjegjësi personale e Trumpit”, shtoi Ghalibaf, duke theksuar rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit dhe tensionet e larta në rajon.

Scroll to Top