BE: Serbia t’u shmanget varësive strategjike pas blerjes së raketave balistike nga Kina
Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje Serbisë që të bëjë zgjedhje të qarta strategjike në rrugën e saj drejt integrimit evropian, pas blerjes së raketave balistike supersonike nga Kina. Një zëdhënës i Komisionit Evropian theksoi se kjo përfshin “shmangien e varësive strategjike që nuk janë në përputhje me këtë qëllim”.
Zëdhënësi shtoi se “një rrugë e besueshme evropiane nënkupton përkushtim ndaj stabilitetit rajonal dhe një mirëkuptim të përbashkët për sfidat e sigurisë me të cilat përballet kontinenti ynë”.
Të enjten, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pranoi se vendi i tij ka blerë nga Kina raketa CM-400, të cilat kanë fuqi të madhe shkatërruese. Kjo blerje ka nxitur reagime nga vendet fqinje.
Me këtë blerje, Serbia është bërë vendi i parë, pas Pakistanit, që siguron nga Kina raketa CM-400. Sipas regjistrave ndërkombëtarë të armëve, Serbia është i vetmi vend në Evropë që i posedon ato, ndërkohë që është e rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s. NATO nuk iu përgjigj kërkesave për koment nga Radio Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje.
Nga ana tjetër, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, shteti i të cilit është anëtar i përhershëm i aleancës ushtarake, njoftoi se do t’i informojë edhe anëtarët e tjerë të NATO-s për këtë zhvillim. “Do të bisedojmë me partnerët tanë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe do t’i paralajmërojmë për këtë lloj armatimi, i cili është një risi në arsenalin e ushtrisë së Serbisë,” tha Plenkoviq të enjten.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, u shpreh të premten për Radio Evropa e Lirë se pretendimet e autoriteteve serbe për armatosje për t’u mbrojtur nga vendet fqinje nuk janë të vërteta. Ai shtoi se me blerjet e fundit të armëve kineze, Serbia po shfaq tendenca hegjemoniste ndaj vendeve të rajonit.
“Blerjet nga Rusia dhe Kina kanë disa vite që vazhdojnë, pra nuk lidhen me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë… asnjë shtet fqinj i Serbisë nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues ndaj Serbisë,” theksoi Maqedonci, duke shtuar se Serbia është ajo që shfaq pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) në Stokholm, në periudhën 2020–2024, Serbia ka importuar shumicën e armëve nga Kina (57%), e ndjekur nga Rusia (20%) dhe Franca (7.4%).
Duke reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit kroat, presidenti Vuçiq u shpreh se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”. Ai shtoi se Serbia “po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.
Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë.