Itali: 32-vjeçar shqiptar gjendet pa jetë në një resort në liqenin Garda
Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën turistike të liqenit Garda në Itali, ku një i ri shqiptar është gjetur pa shenja jete brenda dhomës së një resorti me pesë yje. Viktima, një 32-vjeçar shqiptar, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik, u zbulua nga stafi i hotelit pasditen e 11 marsit.
Sipas informacioneve paraprake, i riu kishte mbërritur në resort i vetëm dhe kishte qëndruar aty për rreth 24 orë. Alarmi u ngrit nga punonjësit e resortit pasi 32-vjeçari nuk po u përgjigjej thirrjeve dhe trokitjeve në derën e dhomës.
Pasi hynë brenda, stafi u përball me një situatë të rëndë dhe njoftoi menjëherë shërbimet e urgjencës dhe forcat e rendit. Pavarësisht mbërritjes së mjekëve, për 32-vjeçarin nuk mund të bëhej asgjë, pasi kishte ndërruar jetë.
Autoritetet italiane kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes. Sipas mediave vendase, hetuesit kanë gjetur pranë shtratit të viktimës disa pako ilaçesh të boshatisura. Bazuar në këto prova, pista kryesore ku po përqendrohen hetimet është ajo e një vetëvrasjeje, megjithatë, pritet autopsia për të konfirmuar zyrtarisht shkakun e vdekjes dhe nëse ka pasur faktorë të tjerë ndikues.
Grupi hetimor po shqyrton gjithashtu lëvizjet e fundit të 32-vjeçarit dhe komunikimet e tij për të kuptuar gjendjen psikologjike që mund ta ketë çuar drejt këtij vendimi tragjik.
