Rama: Ndërhyrje shtetërore për çmimin e naftës, ligj rezervash

Rritja e çmimit të naftës, Rama: Shteti do të ndërhyjë për të lehtësuar barrën e qytetarëve, gati ligji për rezervat

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri, duke theksuar se kjo situimim është si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Në një konferencë për shtyp, Rama deklaroi se do të krijohet një aktor i ri shtetëror në tregun e naftës me qëllim lehtësimin e barrës financiare për qytetarët.

Kreu i qeverisë foli gjithashtu edhe për ligjin e rezervave.

“Një nga objektivat tanë është krijimi i një aktori të ri në tregun e naftës. Ky aktor shtetëror, si forcë publike, do të krijojë një kapacitet për të lehtësuar barrën mbi qytetarët, ashtu siç e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm duke ndryshuar qasjen për fluturimet ajrore. Shqipëria kishte aeroportin më të shtrenjtë; sot ka më të suksesshmin në Ballkan, me një diferencë mbresëlënëse nga Beogradi. Sot nuk është më Beogradi kryeqyteti i aviacionit, por është Tirana. Kjo është arritje e kësaj qeverie, me keqardhje për ata që na dëshirojnë të dështuar. Sa më shumë na dëshirojnë të dështuar, aq më shumë ne gjallërohemi. Ne do ta krijojmë faktorin publik dhe forcën e shtetit do ta fusim edhe në tregun e naftës. Shumë shpejt do japim shembullin sesi gjërat do të ndryshojnë edhe në tregun e naftës. Do të bëhet më e lehtë për të pasur marrëveshje me kompanitë që shpërndajnë naftën.

Sot kemi në proces ligjin e rezervave; kur e diskutuam para vitit 2020, u bënë përpjekje të shumta. Në ligjin që është në konsultim publik, e kemi përcaktuar që rezerva do të shkojë në tre muaj, por kjo nuk mjafton më si masë sigurie. Qytetarët meritojnë një treg nafte që të jetë më i përballueshëm se tregu aktual”, u shpreh Rama.

Scroll to Top