**Industria Estetike: Treg Fitimprurës me Norma Kthimi Dyshifrore**
Në tregun e estetikës dhe ndërhyrjeve kirurgjikale në Shqipëri, disa emra janë konsoliduar prej vitesh si aktorët kryesorë, duke u dalluar për ekspozimin e tyre publik, zgjerimin e strukturave dhe volumin e aktivitetit. Mes tyre përfshihen: Sombrero (KEIT), Day Hospital, Luis Medical Center, Klinika DaVinci, ENT Clinic, Klinika Anassa dhe Klinika Estetike GEA (e cila është pjesë e klinikës gjinekologjike me të njëjtin emër).
Sipas të dhënave të operatorëve të mëdhenj, normat e fitimit mbeten të larta, duke u luhatur mes 20% dhe 40%. Megjithatë, në periudhën 2023-2024, këto norma kanë shënuar një rënie, si pasojë e shtimit të konkurrencës dhe rritjes së kostove të aktivitetit.
Klinika më e madhe në tregun e kirurgjisë plastike, “Sombrero sh.p.k.” (KEIT), ka shënuar një rënie të të ardhurave për herë të parë në vitin 2024, duke u tkurrur me 14% dhe duke arritur në 839 milionë lekë. Kjo bie në kontrast me vitin 2023, ku të ardhurat u rritën me 8.2%, dhe vitin 2022, ku u dyfishuan. Fitimet për vitin 2024 u përgjysmuan në 187 milionë lekë, ndërsa norma e kthimit ra ndjeshëm në 22%, nga 37% në 2023 dhe 48% në 2022. Pavarësisht kësaj rënieje, kompania raportoi një shtim të shpenzimeve për stafin me 16%, duke arritur në 211 milionë lekë. Lënda e parë gjithashtu u shtrenjtua, duke u bërë një tjetër faktor për tkurrjen e fitimeve.
“ENT CLINIC” renditet e dyta në treg, megjithëse të ardhurat e saj janë pesë herë më të ulëta se konkurrenti kryesor. Të ardhurat e kësaj klinike, e specializuar kryesisht në rinoplastikë, ishin 157 milionë lekë në vitin 2024, me një normë fitimi prej 13%.
“Klinika Annasa”, e treta më e madhe në treg dhe e specializuar në dermoestetikë, ka shënuar rritjen më të shpejtë në 2024, duke reflektuar trendin e preferencës për ndërhyrje më pak invazive. Të ardhurat e saj ishin 134 milionë lekë, me një rritje vjetore prej 53% dhe një normë fitimi prej 22%.
“Klinika DaVinci”, e fokusuar në kirurgjinë estetike, deklaroi të ardhura prej 121 milionë lekësh në 2024, me një rritje prej gati 20%. Kjo klinikë raportoi një normë fitimi më të ulët se mesatarja e tregut, rreth 10%.
“Luis Medical Center” paraqet një situatë më të luhatshme. Të ardhurat në vitin 2023 ishin 102 milionë lekë, ndërsa në 2024 shënuan një rritje të lehtë prej 3.2%, duke arritur në 105 milionë lekë. Fitimi para tatimit ishte 36 milionë lekë në 2023 dhe 30 milionë lekë në 2024, me një normë fitimi që luhatet mes 30% dhe 35%.
