Putin i propozoi Trumpit marrëveshje për Iranin, refuzuar

Axios: Putin i propozoi Trumpit një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Iran, por presidenti amerikan refuzoi

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka refuzuar një propozim nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të transferuar uraniumin e pasuruar iranian në Rusi, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës, sipas një raporti të Axios.

Propozimi u bë gjatë një telefonate mes dy udhëheqësve në fillim të javës, por Trump e hodhi poshtë atë, sipas burimeve të cituara nga Axios.

Fati i rreth 450 kilogramëve uranium të pasuruar në nivelin 60% që disponon Irani, është një nga shqetësimet kryesore të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në konflikt.

Ky material mund të shndërrohet në uranium të përshtatshëm për armë brenda pak javësh dhe mjafton për prodhimin e më shumë se dhjetë bombave bërthamore.

Në teori, propozimi i Putinit mund të lehtësonte heqjen e rezervave bërthamore të Iranit pa kërkuar prani ushtarake amerikane ose izraelite në territorin iranian.

Rusia, si një fuqi bërthamore, ka pasur më parë uranium të pasuruar iranian sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke e bërë atë një nga vendet e pakta me aftësinë teknike për të menaxhuar një material të tillë.

Propozimet e Putinit

Sipas raportit, gjatë telefonatës së së hënës, Putin i paraqiti Trumpit disa ide për t’i dhënë fund konfliktit SHBA-Iran, përfshirë transferimin e uraniumit në Rusi.

“Ky nuk është propozimi i parë i këtij lloji, por nuk është pranuar. Qëndrimi i SHBA-së është se duhet të sigurohet kontrolli i uraniumit,” citohet të ketë thënë një zyrtar amerikan për Axios.

Rusia kishte bërë propozime të ngjashme gjatë negociatave SHBA-Iran për programin bërthamor në majin e kaluar, para sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor, si dhe javët para shpërthimit të luftës aktuale.

Qëndrimi i Iranit

Në raundin e fundit të negociatave para fillimit të luftës, Teherani kishte refuzuar transferimin e uraniumit jashtë vendit dhe kishte propozuar hollimin e uraniumit të pasuruar brenda objekteve të tij, nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Nuk është e qartë nëse pala iraniane do të ishte e gatshme të shqyrtonte një propozim të tillë në rrethanat aktuale.

Një zyrtar amerikan i tha Axios se Trump mban kanale të hapura komunikimi me shumë udhëheqës ndërkombëtarë.

“Presidenti flet me të gjithë, me Xi Jinping, Putin, evropianët, dhe ai është gjithmonë i gatshëm të bëjë një marrëveshje. Por duhet të jetë një marrëveshje e mirë. Presidenti nuk bën marrëveshje të këqija,” tha zyrtari.

Skenarët ushtarakë

Sipas informacioneve të mëparshme të Axios, SHBA-të dhe Izraeli kanë diskutuar mundësinë e dërgimit të forcave speciale në Iran në një fazë të mëvonshme të luftës, me qëllim sigurimin e rezervave bërthamore të vendit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi në një konferencë për shtyp të premten se Uashingtoni ka “një gamë opsionesh” për të kontrolluar uraniumin e pasuruar shumë të Iranit.

Një nga këto opsione, shtoi ai, do të ishte që Irani të dorëzonte vullnetarisht rezervat.

“Ata nuk ishin të gatshëm ta bënin këtë në negociata. Unë kurrë nuk do t’i tregoj kësaj dhome apo botës se çfarë jemi të gatshëm të bëjmë ose sa larg jemi të gatshëm të shkojmë – por kemi mundësi,” tha ai.

Megjithatë, në një intervistë për Fox News Radio, Trump sugjeroi se sigurimi i materialit bërthamor nuk ishte një përparësi e menjëhershme.

“Ne nuk po përqendrohemi në këtë tani, por në një moment mund ta bëjmë,” tha ai.

Ndihma ruse për Iranin

Trump pranoi gjithashtu për herë të parë se Rusia mund të jetë duke e ndihmuar Iranin në luftë, pas raportimeve se Moska po ofronte informacione për të gjurmuar forcat amerikane.

“Mendoj se Putini mund t’i ndihmojë pak, po. Dhe ai ndoshta mendon se ne po e ndihmojmë Ukrainën,” tha ai.

“Kështu e sheh ai dhe Kina do të thoshte të njëjtën gjë. Është sikur po thonë: ata e bëjnë dhe ne e bëjmë, për të qenë të drejtë.”

Scroll to Top