Hamasi i kërkon Iranit të mos sulmojë fqinjët

Hamasi apelon Iranin: I bëjmë thirrje vëllezërve tanë atje që të mos marrin në shënjestër vendet fqinje

Grupi militant palestinez Hamas i bëri thirrje aleatit të tij, Iranit, që të ndalojë sulmet kundër fqinjëve në rajon. Deklarata e Hamasit, e publikuar në Telegram, thekson: “Edhe pse e njohim të drejtën e Republikës Islamike të Iranit për t’iu përgjigjur kësaj agresioni me të gjitha mjetet e mundshme, i bëjmë thirrje vëllezërve tanë atje që të mos marrin në shënjestër vendet fqinje.”

Organizata islamike palestineze nënvizon se çdo përgjigje duhet të jetë në përputhje me ligjet ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, Hamasi i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë për të ndaluar luftën që po vazhdon.

Hamasi, i cili me sulmin e tij të 7 tetorit 2023 nxiti luftën shkatërruese dyvjeçare me Izraelin në Gaza, dënoi vrasjen e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, si një “krim të tmerrshëm”. Grupi militant pranoi publikisht mbështetjen e tij të gjatë për lëvizjen palestineze, duke deklaruar: “Ai ofroi të gjitha format e mbështetjes politike, diplomatike dhe ushtarake për popullin tonë, kauzën tonë dhe rezistencën tonë.”

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet e tjera të Gjirit kanë qenë nën sulme të vazhdueshme iraniane që nga fillimi i luftës më 28 shkurt. Ndërkohë, tre raketa iraniane janë rrëzuar nga mbrojtja kundërajrore e NATO-s në qiellin e Turqisë.

Thirrja e Hamasit vjen në një kohë kur raportohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë të dërgojnë njësi të tjera detare dhe më shumë anije luftarake në Lindjen e Mesme. Këtë e bënë të ditur tre zyrtarë amerikanë për rrjetin partner NBC News. Sipas NBC News, do të dislokohen rreth 5000 marinsë, pjesë e një grupi të përbërë nga luftanijet USS San Diego, USS Tripoli dhe USS New Orleans.

Scroll to Top