Presidenti kolumbian akuzon Ekuadorin për bombardimin e zonave kufitare të vendit të tij
Presidenti i Kolumbisë akuzoi sot Ekuadorin për bombardimin e një zone kufitare të territorit kolumbian, duke pretenduar se ky veprim u krye nën pretekstin e luftimit të trafikantëve të drogës.
“Po na bombardojnë nga Ekuadori”, deklaroi Gustavo Petro. Ai shtoi se 27 trupa të djegur u gjetën në zonën e prekur nga sulmi.
Presidenti kolumbian njoftoi gjithashtu se i kishte kërkuar homologut të tij amerikan, Donald Trump, të ndërhynte. “I kërkova të kontaktonte presidentin e Ekuadorit, sepse nuk duam të shkojmë në luftë”, tha Petro.
Nga ana e tij, presidenti i Ekuadorit këmbëngul se bombardimet kanë goditur vende brenda territorit të vendit të tij. “President Petro, deklaratat tuaja janë të rreme. Ne po veprojmë në territorin tonë, jo në tuajin”, shkroi Daniel Noboa më parë në platformën X.
Ai pretendoi se vendet e bombarduara ishin strehëza të bandave të lidhura me narkoterrorizmin, shumica e të cilëve vijnë nga Kolumbia.
Më 6 mars, Ministria e Mbrojtjes e Ekuadorit njoftoi se kishte bombarduar, “me mbështetjen e SHBA-së”, një kamp të “organizatës kriminale të trafikimit të drogës Comandos de la Frontera (CDF)” që vepronte në kufirin me Kolumbinë.
Të dielën, ajo njoftoi fillimin e një operacioni dyjavor që synon luftimin e trafikut të drogës, me mbështetjen e SHBA-së edhe në këtë rast.
Ekuadori i është bashkuar të ashtuquajturës “Mburoja e Amerikave”, një aleancë prej 17 vendesh e krijuar nga Trump për të luftuar kartelet e drogës. Kolumbia nuk është përfshirë në këtë aleancë.
