Shqipëria & BE: Kap 1 i negociatave, shqetësime serioze

Titulli: Tabaku: Mali i Zi ka mbyllur 13 kapituj negociatash me BE, Shqipëria pret raportin më 25 shkurt

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar se vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësime serioze lidhur me ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit, veçanërisht në kapitullin e parë të negociatave.

E ftuar në emisionin ‘A Show’ në SYRI TV, Tabaku ka theksuar se në Bruksel është vënë re një interes i pazakontë për mbledhjen e formatit Coela, ku përfaqësuesit e vendeve anëtare kanë parashtruar një numër të konsiderueshëm pyetjesh rreth situatës në Shqipëri.

Sipas saj, më 25 shkurt, në të njëjtën ditë kur qeveria shqiptare ka ndërmarrë ndryshime në përbërjen e saj, në axhendën e Coela-s është prezantuar raporti i parë ndërmjetëm IBAR për Shqipërinë. Ky raport është i lidhur me përmbushjen e detyrimeve në kuadër të grup-kapitullit të parë, i cili përfshin reformën në drejtësi, lirinë e medias, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe luftën kundër korrupsionit.

Duke bërë një krahasim me Malin e Zi, Tabaku ka theksuar se ky i fundit ka mbyllur tashmë 13 kapituj negociatash, ndërsa Shqipëria ende ndodhet në fazën e parë të raportit IBAR për kapitullin e parë.

Ajo ka shpjeguar se diskutimet për Malin e Zi janë mbyllur brenda një periudhe të shkurtër, ndërsa për Shqipërinë procesi ka vijuar që nga 25 shkurti dhe ende nuk ka një përfundim.

“Nga Brukseli, thuhet se nuk ka pasur kurrë kaq shumë interes për këtë mbledhje të Coelës, e cila përfshin përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Europian,” ka deklaruar Tabaku. “Ata pohojnë se pyetje i janë parashtruar edhe gazetarëve shqiptarë si në këtë rast, në asnjë rast tjetër. Ndodhi që ditën e 25 shkurtit, ditën që qeveria shqiptare bëri disa ndryshime, ku u zëvendësua Balluku me Koçiun – emra që ndryshojnë aq shpesh saqë nuk mbahen mend më – në axhendën e Coelës u prezantua projekti IBAR për Shqipërinë, duke vlerësuar përafërsisht objektivat e Shqipërisë për këtë fazë. Detyrat e Shqipërisë përfshinin një listë me 40 ligje, por gjithashtu dhe disa detyrime të lidhura me ligjin, pasi bëhet fjalë për grup-kapitullin e parë: reforma në drejtësi, liria e medias, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, lufta kundër korrupsionit që lidhet me koncesionet. Të gjitha këto janë pjesë e grup-kapitullit të parë. Nuk mund t’u thuash vendeve anëtare që i kam plotësuar detyrimet në grup-kapitullin e parë vetëm sepse kam miratuar Kodin Penal dhe kam hequr shpifjen vetëm për gazetarët, ndërkohë që gazetarin e përjashton nga një konferencë për shtyp.”

“Procesi i integrimit nuk është një listë ligjesh të miratuara, por një listë standardesh të arritura, dhe vendet anëtare pikërisht këtë po përpiqen të kuptojnë. Nga 25 shkurti deri më sot, në takime të njëpasnjëshme, ata kanë ngritur pyetje dhe shqetësime. Vende të ndryshme, jo vetëm Gjermania, por edhe Holanda, Austria, Belgjika, Suedia, dhe Franca përsa i përket emigracionit, kanë shprehur shqetësime. Këto vende theksojnë se në këtë grup-kapitull të parë presin të shohin reforma në drejtësi që ndihmojnë apo pengojnë hetimet ndaj zyrtarëve të lartë për korrupsion. Ata duan të shohin koncesionet, duke pyetur nëse ka më pak apo më shumë korrupsion me koncesionet sot. Për ta nuk është e rëndësishme nëse është miratuar ligji i koncesioneve, por nëse në praktikë ky ligj ka hapur më shumë apo më pak rrugë për korrupsion dhe si është zbatuar. Pikërisht gjendemi në këtë fazë. Nëse dua ta krahasoj me Malin e Zi, ky i fundit ka mbyllur 13 kapituj, ndërsa ne jemi ende tek raporti i parë IBAR, raporti i parë ndërmjetëm për grup-kapitullin e parë. Mali i Zi u fut në axhendë të hënën dhe diskutimi u mbyll të hënën, ndërsa Shqipëria u fut më 25 shkurt, jemi në mes të marsit dhe duket se procesi do të vazhdojë.”

“Për të mos qenë parashikuese apo orakull në këtë proces, them thjesht se vendet anëtare janë të shqetësuara,” ka shtuar Tabaku. “Me atë që ndodhi me imunitetin e ish-zëvendëskryeministres Balluku, procesi i reformës në drejtësi jo vetëm që është vënë në pikëpyetje, por është shkatërruar. Është krijuar një precedent i rrezikshëm për të ardhmen, ku nga njëra anë, mandati i imunitetit është përdorur si privilegj, ndërkohë që duhet të konsiderohet si përgjegjësi. Vende anëtare kanë hyrë në diskutime sepse koncepti i imunitetit është më i gjerë në një vend apo në një tjetër. Nuk ka rëndësi se si e përcakton legjislacioni i një vendi. Rëndësi ka që politika është bërë barrierë për luftën kundër korrupsionit dhe kjo tashmë pengon procesin e integrimit,” përfundoi deputetja e PD, Jorida Tabaku, në Syri TV.

Scroll to Top