“`html
Kuvendi miraton me votat e shumicës rezolutën që shpall Iranin shtet terrorist; PD bojkoton seancën dhe shpall Gardën Revolucionare si organizatë terroriste
Botuar më 17.03.2026
Me 79 vota pro dhe një abstenim nga deputeti Redi Muçi, Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot një rezolutë ku shpallet Irani shtet terrorist. Ky vendim u mor duke marrë shkas edhe nga ngjarjet e fundit që po prekin Lindjen e Mesme dhe jo vetëm. Teksa opozita mungonte në sallë dhe nuk pranoi të ishte pjesë e seancës, në Kuvend u votua për praninë, ku rezultuan 79 ligjvënës, të cilët votuan të gjithë pro miratimit të kësaj rezolute.
Kjo rezolutë dënon politikat e Iranit, duke u bazuar gjithashtu në faktin se ky shtet ka kryer disa herë sulme kibernetike drejt institucioneve të vendit tonë. Rezoluta u propozua nga maxhoranca dhe u kalua në seancë plenare urgjente, pa u përfshirë në rendin e ditës. Kjo shkaktoi debate me opozitën, e cila theksoi se seanca ishte e jashtëligjshme dhe pa procedurë.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, shprehu keqardhjen për mungesën e deputetëve të opozitës në seancë. Ai prezantoi një projekt rezolute sa i përket Iranit dhe shpalljes organizatë terroriste të Hezbollahut dhe Gardës Revolucionare, duke theksuar se opozita duhet të ishte e pranishme për të votuar, duke pasur parasysh se Shqipëria ka qenë shpeshherë shënjestër e sulmeve nga Irani, duke përmendur sulmin e fundit ndaj komunikimeve të Kuvendit.
“Keqardhje për mungesën sot në këtë seancë të deputetëve të tre grupeve parlamentare të opozitës, të cilët nuk ditën që në një moment solemn të qëndrimit të menjëhershëm urgjent të Shqipërisë përkrah SHBA, Francës, e vendeve të BE, nuk dolën sot nga interesi i vogël i javës së njoftuar për një tjetër protestë të pakryer. Të vinin në seancën e Kuvendit dhe ta mbështesnin këtë qëndrim që është i domosdoshëm, urgjent dhe i nevojshëm sa i përket dhe kontekstit të ri pas zhvillimeve, sulmit kibernetik sa i përket interesit të Shqipërisë, përbrenda nesh, edhe me zhvillimin që lidhet dhe me bllokimin e kanalit të Hormuzit. Duhet ta shohim si deklaratë të qartë të vlerave si vend demokratik dhe aleat i NATO-s.”, tha Balla.
Rezoluta
Në tekstin e rezolutës, Kuvendi thekson përkushtimin e Shqipërisë ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, të drejtës ndërkombëtare dhe mbrojtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, si dhe nevojën për të kundërshtuar terrorizmin në të gjitha format dhe shfaqjet e tij. Rezoluta dënon veprimet e Qeverisë së Iranit për mbështetjen e grupeve dhe organizatave terroriste, përfshirë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) dhe strukturat e lidhura me të, si dhe aktivitete destabilizuese në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Po ashtu, dënohen sulmet kibernetike të kryera ndaj institucioneve shtetërore shqiptare, përfshirë sulmin e vitit 2022 dhe përpjekjet e fundit për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit.
Tetë pikat kryesore të rezolutës:
- Dënon me termat më të ashpër veprimet e Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës, si dhe shpreh solidaritetin e plotë me vendet mike të Gjirit Persik dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestruar nga aktiviteti terrorist i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës Islamike të Iranit.
- Dënon gjithashtu sulmet kibernetike të kryera kundër institucioneve të Republikës së Shqipërisë, përfshirë sulmin e vitit 2022 ndaj infrastrukturës shtetërore dhe përpjekjet e fundit për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit të Shqipërisë.
- Shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme.
- Dënon aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe entiteteve të lidhura me të për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave terroriste, forcave të armatosura përfaqësuese dhe operacioneve destabilizuese.
- I bën thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që:
- të forcojë masat kombëtare dhe ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin e sponsorizuar nga shtetet dhe kërcënimet kibernetike;
- të bashkëpunojë ngushtë me vendet aleate dhe partnere në parandalimin dhe luftimin e financimit të terrorizmit dhe aktiviteteve të lidhura me strukturat shtetërore iraniane;
- të mbështesë nismat në organizatat ndërkombëtare që synojnë përgjegjshmërinë për aktet e terrorizmit, sulmet kibernetike dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.
- të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste.
- të shpallë gjithashtu Hezbollah si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit, duke iu bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Hollandës dhe një numri shtetesh anëtare të BE-së si dhe vendeve të tjera, të cilat e kanë ndërmarrë më parë këtë përcaktim.
- U bën thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.
- Rikonfirmon përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj paqes ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe mbrojtjes së civilëve nga aktet e terrorit.
- Udhëzon që kjo Rezolutë t’i përcillet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, qeverive aleate, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë përkatës.
QËNDRIMI I PD
Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, seanca u thirr jashtë ditës së zakonshme të zhvillimit të saj, e cila është e enjtja, dhe me një rend ditë që përfshinte vetëm miratimin e procesverbalit dhe njoftime. Ai theksoi se kjo nuk ishte një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit Edi Rama dhe të kreut të Kuvendit, pa një rend ditë të miratuar apo të shpallur zyrtarisht dhe në shkelje të procedurave që parashikon Rregullorja e Kuvendit.
Sipas Bardhit, një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk mund të funksionojë normalisht dhe rrezikon të kthehet në një instrument në shërbim të qeverisë. Ai shtoi se në vend që Parlamenti të merret me problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, është shndërruar në një mekanizëm që pengon edhe drejtësinë në hetimin e korrupsionit.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi të mos marrë pjesë në seancën plenare të ditës së martë, një seancë e paligjshme, e thirrur në kundërshtim të hapur me Rregulloren e Kuvendit, jashtë ditës normale të saj (e enjte) dhe me Rend Dite: miratim procesverbali dhe njoftime. Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit. Një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk është më parlament, por një dekor për propagandën e qeverisë. Një dyqan personal që nuk i shërben interesit publik. Në vend që Parlamenti të merret me problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, ai është kthyer në një instrument antidemokratik në shërbim të Kryeministrit, duke penguar drejtësinë në hetimin e korrupsionit dhe duke u shndërruar në një pengesë serioze për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve. Prioriteti ynë këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit. Sepse problemi real i Shqipërisë sot është një qeveri që është kthyer në rrezik kombëtar. Prandaj opozita është e vendosur të qëndrojë me qytetarët dhe të udhëheqë betejën për ndryshim, luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, si dhe një qeverisje të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve.”, shkruan Bardhi në një postim në rrjetet sociale.
Në një reagim zyrtar, Partia Demokratike shpalli Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste. Ajo e cilëson shtetin obskurantist të Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob.
“Partia Demokratike e Shqipërisë shpall Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste. Ajo e cilëson shtetin obskurantist të Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob. Partia Demokratike e Shqipërisë dënon me forcën më të madhe sulmet e Teheranit ndaj vendeve të Gjirit Persik, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Kuvajtit, Bahrejnit dhe vendeve të tjera mike të Shqipërisë dhe ju shpreh këtyre vendeve solidaritetin e saj të plotë. Partia Demokratike mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e diktaturës mizore teokratike të Ajatollahëve dhe zëvendësimin e këtij regjimi me një qeveri të zgjedhur nga populli si një kontribut madhor për çlirimin e popullit iranian, si dhe për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.”, thuhet në deklaratë.
Kryedemokrati Sali Berisha ka publikuar deklaratën zyrtare të Partisë Demokratike për shpalljen e Gardës Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste, edhe pse opozita nuk mori pjesë në votimin e Kuvendit.
Nga opozita reagoi edhe sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, i cili tha se “thirrje në seancë plenare, me rend dite miratimin e procesverbaleve ka 35 vjet ky kuvend që s’ka pasur.”
Reagon Izraeli
Me 79 vota pro dhe një abstenim nga deputeti Redi Muçi, Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot rezolutën që shpall Iranin shtet terrorist. Pak më parë ka ardhur edhe reagimi nga Izraeli, që e quan rezolutën historike.
“E vlerësoj kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar sot, duke e shpallur Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit. Sipas fjalëve të rezolutës: Terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike. Ky është një tjetër demonstrim i dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë.”, shkruhet në reagim.
“`
