Draftligj i Ri: Transparenca në Tregjet e Kapitalit në Shqipëri

Tregjet e Kapitalit: Draftligji i Ri Për Raportimin e Kompanive

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj të ri, i cili synon të vendosë rregulla më të qarta dhe më të forta për mënyrën se si kompanitë që operojnë në tregjet e kapitalit raportojnë informacionin e tyre.

Drafti, i titulluar “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve”, është hartuar në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe synon të afrojë legjislacionin shqiptar me standardet europiane.

Në thelb, projektligji parashikon që çdo kompani me tituj të listuar në një treg të rregulluar të publikojë rregullisht dhe në mënyrë të detajuar informacion mbi gjendjen e saj financiare dhe aktivitetin. Kjo përfshin:

  • Raportet vjetore: Duhet të publikohen brenda katër muajve nga mbyllja e vitit financiar.
  • Raportet gjashtëmujore: Duhet të publikohen brenda tre muajve nga përfundimi i periudhës përkatëse.

Këto dokumente do të jenë të aksesueshme për publikun për një periudhë deri në 10 vjet, duke u dhënë mundësinë investitorëve të analizojnë performancën e kompanive në kohë.

Një element i rëndësishëm i draftit është zgjerimi i transparencës përtej shifrave financiare. Kompanitë do të duhet të raportojnë edhe mbi rreziqet, pasiguritë dhe faktorët që mund të ndikojnë në aktivitetin e tyre, duke përfshirë, në disa raste, edhe aspekte të qëndrueshmërisë.

Projektligji vendos gjithashtu rregulla të qarta për transparencën e pronësisë. Çdo aksionar që arrin ose kalon pragje të caktuara të të drejtave të votës (duke filluar nga 5% e deri në nivele më të larta) do të jetë i detyruar të njoftojë për këtë ndryshim. Qëllimi është të bëhet më e dukshme se kush kontrollon realisht kompanitë dhe të shmangen situatat ku ndikimi ushtrohet në mënyrë të fshehtë.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është kalimi i detyrueshëm drejt raportimit elektronik në një format të standardizuar në vitet në vijim, në përputhje me praktikat e BE-së. Kjo pritet të lehtësojë krahasimin e të dhënave dhe analizën nga investitorët, duke e bërë informacionin më të përdorshëm dhe më transparent.

Megjithatë, ndikimi real i këtij ligji do të varet nga konteksti në të cilin ai zbatohet. Shqipëria ka ende një treg kapitalesh të kufizuar, me pak kompani të listuara dhe me një pjesëmarrje të ulët të investitorëve publikë.

Scroll to Top