Shqiptari u arrestua në Itali pasi akuzohet për shitje kokaine pranë supermarketeve.
Një 35-vjeçar shqiptar u arrestua nga policia italiane në Breshia, pasi akuzohet si pjesë e një rrjeti për trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës. Ky aktivitet zhvillohej në zonën e Desenzano dhe Sirmiona.
Arrestimi i shqiptarit u krye pasi ai parkoi një makinë me qira pranë një supermarketi në Via Solitro dhe më pas iu afrua një klienti. Oficerët e policisë e kapën atë në momentin që po dorëzonte një pako që përmbante doza kokaine.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi lëndën narkotike, e cila ishte ndarë në 15 doza të gatshme për shitje, si dhe 550 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga ky aktivitet kriminal.
