Zgjedhjet në Kosovë: Akuza për 4 persona për manipulim votash në Ferizaj
Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi të mërkurën ngritjen e aktakuzës kundër katër personave, të cilët dyshohet se kanë falsifikuar rezultatet e votave për kandidatë për deputetë në një qendër numërimi në Shtime, gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar.
Të dyshuarit janë identifikuar me inicialet Y.S, B.V, Sh.B, dhe R.R. Akuza vjen pas disa javësh hetimesh, të cilat shtrijnë jo vetëm në Shtime, por edhe në rajone të tjera të Kosovës, lidhur me dyshimet e mëdha për manipulim të votave. Këto dyshime detyruan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të kryejë një rinumërim të plotë të votave. Edhe pse rinumërimi zbuloi mospërputhje të shumta, nuk pati ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve apo të kandidatëve për deputetë, sipas njoftimeve të REL.
Për çfarë akuzohen të dyshuarit në Shtime?
Të akuzuarit Y.S, B.V, Sh.B dhe R.R, akuzohen se më 30 dhjetor 2025, në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime, gjatë procesit të numërimit të votave, në cilësinë e anëtarëve të ekipit të numërimit, vepruan në bashkëpunim për të shkelur qëllimisht rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga legjislacioni zgjedhor dhe aktet nënligjore të KQZ-së.
Ata akuzohen se synonin të shtrembëronin rezultatin e votave në Shtime, duke bashkërenduar veprimet e tyre me dy të dyshuarit e tjerë, Y.S., dhe B.V.
- Y.S. akuzohet se ka lexuar dhe komunikuar votat nga fletëvotimet në mënyrë të pasaktë dhe të pakontrolluar.
- B.V. akuzohet se, duke shfrytëzuar qasje ekskluzive në sistemin elektronik të KQZ-së, ka regjistruar të dhëna të pasakta në sistem, pa u mundësuar mekanizma verifikimi dhe kontrolli nga anëtarët e tjerë.
- Sh.B dhe R.R. gjithashtu akuzohen se, pavarësisht pranisë dhe pjesëmarrjes në procesin e ndarjes dhe verifikimit të fletëvotimeve, kanë dështuar me vetëdije të ndërmarrin veprime për të parandaluar ose korrigjuar parregullsitë.
“Përmes këtij mekanizmi të organizuar veprimi dhe mungesës së kontrollit të ndërsjellë, janë regjistruar rezultate të pasakta të votimit për kandidatët. Këto rezultate u konstatuan si mospërputhje thelbësore gjatë procesit të rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), duke cenuar drejtpërdrejt integritetin, besueshmërinë dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor”, thuhet në aktakuzë.
Ky aktakuzë vjen pas hetimeve lidhur me dyshimet për manipulim të votave për deputetë të Kuvendit të Kosovës në disa rajone. Dhjetëra persona u ndaluan për shkak të këtyre dyshimeve në disa rajone të Kosovës dhe u intervistuan qindra të tjerë. Hetime u zhvilluan në Prizren, Malishevë, Podujevë, Ferizaj dhe Mitrovicë.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, pas vënies në dukje të shpërputhjeve mes votave në fletëvotime dhe atyre të futur në sistemin online, ka deklaruar se procesi i 28 dhjetorit ishte ndër “më të komprometuarat”.
