AKSHI: Mirlinda Karçanaj zotëron 4 apartamente dhe ullishte

Drejtoresha e akuzuar për korrupsion, Mirlinda Karçanaj, zotëron katër apartamente dhe një ullishte

Kryeministri Edi Rama ka pretenduar se Mirlinda Karçanaj jeton në një shtëpi me qira. Verifikimet e Faktoje tregojnë të kundërtën. Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (AKSHI) zotëron katër apartamente dhe një sipërfaqe tokë me ullishte prej 1,500 metra katrorë, ku dy apartamente janë në bashkëpronësi dhe dy të tjerë në pronësi të plotë.

Dhjetorin e kaluar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur një grup të dyshuar kriminal, të cilin dyshohet se e drejtonte Mirlinda Karçanaj, aktualisht në arrest shtëpie. Ajo është e dyshuar për shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Në një dosje hetimore prej 206 faqesh, SPAK përshkruan një rrjet të mirëorganizuar brenda AKSHI-t, i cili dyshohet se ka përvetësuar qindra milionë euro nga tenderat publikë, duke përdorur metoda si shantazhi, pengmarrja dhe përfshirja e zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe policorë. Ky rast konsiderohet si një nga më të rëndët për SPAK-un, pasi AKSHI është një institucion kyç që menaxhon pothuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes platformës e-Albania dhe shërben si ndërmjetës mes qytetarëve dhe institucioneve për qindra shërbime.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje ish-bashkëpunëtores së tij të ngushtë, duke deklaruar se Mirlinda Karçanaj gëzon “respekt të padiskutueshëm”. Ai madje ka shprehur shqetësim për situatën e saj, duke theksuar se ajo jeton në një shtëpi me qira.

“Linda Karçanaj, e cila sot është në masë sigurie në një shtëpi me qira, ku jeton pasi ka jetuar deri pak vite më parë në shtëpinë e prindërve, në një apartament që ishte i kohës së komunizmit…,” deklaroi Rama në fund të vitit të kaluar. Kjo deklaratë ka ngjallur reagime të forta në media dhe rrjetet sociale, duke hapur një debat të gjerë publik. Disa faqe në rrjetet sociale kanë reaguar ironikisht, duke sugjeruar me sarkazëm hapjen e një fushate “GoFundMe” për Mirlinda Karçanajn.

Përtej zhurmës mediatike, Faktoje iu drejtua Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPI) për të verifikuar pasurinë e paluajtshme të deklaruar nga vetë Karçanaj.

Sa prona zotëron Karçanaj?

Analiza e deklaratave të saj pasurore për 21 vite tregon një pasuri më të konsiderueshme se sa e paraqet kryeministri. Në vitin 2007, kur ajo mbante postin e drejtores së Teknologjisë së Informacionit në Bashkinë e Tiranës, Karçanaj deklaronte 25% të një apartamenti 3+1, me sipërfaqe 94 metra katrorë, në Tiranë. Në vitin 2013, kohë kur ajo mori detyrën e drejtores së AKSHI-t, e njëjta pronë figurohej me 50% bashkëpronësi. Në vitin 2016, ky apartament u rivlerësua në mbi 13 milionë lekë, ose rreth 135 mijë euro. Në të njëjtin vit, Karçanaj deklaroi blerjen e një apartamenti tjetër prej 136 metra katrorë në Tiranë për 65 mijë euro, ku 50% i përkiste bashkëshortit të saj, Artan Babaramo. Gjithashtu në vitin 2016, çifti bleu edhe një apartament 60 metra katrorë në Qerret për 17,340 euro. Të dyja këto blerje, sipas deklaratave, u financuan nga kursimet e grumbulluara ndër vite dhe pagat.

Një vit më vonë, apartamenti i Tiranës i blerë për 65 mijë euro u rivlerësua në rreth 24.5 milionë lekë, ose 240 mijë euro. Në vitin 2022, Karçanaj u bë pronare e vetme e apartamentit 3+1 në Tiranë me vlerë 135 mijë euro, të trashëguar nga prindërit. Ajo shtoi gjithashtu dy prona të tjera: një apartament me sipërfaqe 73.5 metra katrorë dhe një sipërfaqe tokë me ullishte prej 1,500 metra katrorë, të cilat gjithashtu i trashëgoi, pa specifikuar vendndodhjen dhe vlerën e tyre.

Pra, ndryshe nga sa pretendoi kryeministri, Mirlinda Karçanaj nuk jeton me qira. Ajo zotëron katër apartamente – dy në bashkëpronësi me bashkëshortin dhe dy në pronësi të plotë – si dhe një sipërfaqe tokë me ullishte prej 1,500 metra katrorë, pa përfshirë këtu kursimet e deklaruara në euro dhe lek ndër vite.

Përfundim

Verifikimi i deklaratave të pasurisë së Mirlinda Karçanajt tregon qartë se ajo nuk jeton me qira, siç pretendoi kryeministri. Ajo zotëron katër apartamente dhe një sipërfaqe tokë me ullishte prej 1,500 metra katrorë, ku dy apartamente janë në bashkëpronësi me bashkëshortin dhe dy të tjerë në pronësi të plotë.

Scroll to Top