Meta kërkon lirimin nga burgu, GJKKO shqyrton kërkesën pas kalimit të dosjes për gjykim
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar me një kërkesë të re Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), duke kërkuar zëvendësimin e masës së arrestit me burg.
Kërkesa e Metës paraqitet një ditë pasi GJKKO vendosi kalimin për gjykim të dosjes ndaj tij, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe tre personave të tjerë të akuzuar: Fatime Kryemadhi, Ema Çoku dhe Piro Xhixho.
Ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ndërkohë, Piro Xhixho akuzohet për korrupsion, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për pastrim parash.
Hetimet kanë zbuluar një sërë skemash korruptive, përfshirë përdorimin e influencës dhe pushtetit politik për të favorizuar biznese të caktuara në këmbim të shpërblimeve të marra ose të premtuara. Gjithashtu, janë zbuluar veprime për pastrimin e produkteve të veprës penale, si dhe fshehje pasurish apo mospërmendje të shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive.
