Tentuan të grabisnin argjendarinë në Pogradec/ Pronari: E disa herë, ende nuk janë gjetur autorët
Në orët e para të mëngjesit të sotëm është tentuar të vidhet një argjendari në qytetin e Pogradecit. Pronari, Lytfi Alia, deklaroi se nuk është hera e parë që biznesi i tij bëhet objektiv i sulmeve, ndërsa autorët e rasteve të mëparshme nuk janë identifikuar.
Sipas tij, këtë herë autorët nuk arritën të marrin asgjë, pasi alarmi u aktivizua dhe ata u larguan menjëherë. Nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se tre persona të maskuar kanë hapur derën e dyqanit me kriko makine rreth orës 03:30.
Alia theksoi se argjendaria e tij është vjedhur edhe më parë, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare, ndërsa shprehu shqetësimin për sigurinë e biznesit. Ai shtoi se autorët e kësaj ngjarjeje janë filmuar, por ishin të maskuar, çka vështirëson identifikimin e tyre.