Shqiptarët importojnë më shumë makina nga Azia se Italia/Gjermania

Shqiptarët po kthehen drejt Azisë për blerjen e automjeteve, duke lënë pas tradicionalet Itali e Gjermani.

Gjeografia e blerjes së automjeteve ka pësuar ndryshime të konsiderueshme në tre vitet e fundit. Konsumatorët shqiptarë po orientohen drejt vendeve të largëta të Azisë për blerjen e automjeteve, duke u distancuar nga Italia dhe Gjermania, të cilat deri në vitin 2023 ishin dy shtetet kryesore nga importoheshin automjetet.

Në vitin 2024, Koreja e Jugut arriti për herë të parë të pozicionohet si shteti që dërgoi më shumë makina në Shqipëri, duke zënë rreth 20% të totalit. Këtë pozicion e mbajti edhe në vitin 2025, me 21.2 mijë mjete të regjistruara për herë të parë, ose 21% e totalit. Krahasuar me vitin 2021, kur nga Koreja e Jugut u regjistruan vetëm 1.2 mijë mjete, kjo tregon një rritje të ndjeshme. Ky orientim drejt Koresë erdhi si pasojë e ofrimit të makinave më ekonomike, pavarësisht kostove më të larta të transportit.

Në dy muajt e parë të vitit 2026, një tendencë tjetër e dukshme ka qenë rritja e ndjeshme e regjistrimeve të mjeteve nga Kina. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor (DPSHTRR), për periudhën janar-shkurt u regjistruan gjithsej 2253 mjete nga Kina, duke përbërë rreth 16% të totalit. Për të gjithë vitin 2025, nga Kina ishin regjistruar 9126 mjete, duke e renditur atë të katërtën pas Koresë, Gjermanisë dhe Italisë, ose 9.2% e totalit.

Rritja e blerjeve nga Kina lidhet kryesisht me orientimin drejt makinave elektrike. Këto makina jo vetëm që ofrohen me çmime më të lira krahasuar me blerjen në Europë, por gjithashtu ofrojnë një kursim të lartë në raport me mjetet me naftë e benzinë.

Sipas të dhënave nga DPSHTRR, për dy mujorin e vitit 2026 u regjistruan për herë të parë gjithsej 1712 mjete elektrike në vend, ose 12% e totalit, dhe 608 mjete hibride (përfshirë opsionin elektrik). Në vitin 2025, importet e mjeteve elektrike përbënin 5.7% të totalit.

Rritja e regjistrimeve për herë të parë të makinave për dy mujorin vjetor rritet me 5%

Gjatë viteve 2024 dhe 2025, u regjistruan për herë të parë mesatarisht rreth 100 mijë makina në vit. Në vitin 2025, numri i mjeteve në qarkullim në vend e kaloi për herë të parë shifrën e 1 milion (1.061), nga të cilat 850 mijë janë autovetura.

Për dy muajt e parë të vitit 2026, janë regjistruar për herë të parë 14 mijë mjete të tjera, duke shënuar një rritje prej 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Koreja e Jugut vijon të ruajë vendin e parë, duke rritur dominimin e saj me 3526 mjete, ose 25% të totalit. E dyta renditet Kina, e ndjekur nga Gjermania (1940) dhe Italia (1822).

Ndonëse blerjet e mjeteve elektrike janë në rritje, vijojnë të dominojnë ato me naftë, të cilat përbënin 52% të mjeteve që filluan të qarkullonin për herë të parë në janar dhe shkurt. (Monitor)

Scroll to Top