Marrëveshje Minierash në Shqipëri: Çfarë Fshihet Pas Takimit?

Marrëveshje në hije për minierat, mediat greke zbulojnë takimin Rama–Guilfoyle

Një gazetë greke ka hedhur dritë mbi sfondin e takimit të zhvilluar disa ditë më parë në Tiranë mes ambasadores amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle dhe kryeministrit Edi Rama. Ky takim lidhet me një projekt të mundshëm investimi në sektorin minerar në juglindje të Shqipërisë.

Ajo që bie në sy në shkrimin e “Kathimerini” nuk është vetëm pesha strategjike e projektit, por edhe mënyra se si ai po del në publik. Ky proces nuk po ndodh përmes transparencës institucionale në Tiranë, por përmes shkrimeve të mediave greke në Athinë.

Bëhet fjalë për një marrëveshje që përfshin burime kritike, kapital amerikan dhe një investim potencial prej 1 miliard eurosh. Megjithatë, deri më tani, ky projekt nuk është prezantuar në mënyrë të detajuar për publikun shqiptar, duke krijuar përshtypjen e një procesi që po zhvillohet më shumë në prapaskenë sesa në dritë.

Sipas raportimit të medias greke, bëhet fjalë për një iniciativë greko-amerikane që synon shfrytëzimin e burimeve minerare në zonën e Bilishtit, me fokus të veçantë te mineralet strategjike.

“Marrëveshja kuadër e nënshkruar me BNI Foundation lidhet me bashkëpunimin ekskluziv për kërkimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve minerare kritike në Shqipëri, veçanërisht të nikelit dhe kobaltit. Burimet shpjegojnë se ky zhvillim vendos de facto një kompani greke në qendër të përpjekjeve evropiane dhe amerikane për sigurimin e lëndëve të para kritike, sidomos atyre të nevojshme për prodhimin e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike,” shkruan “Kathimerini”.

Marrëveshja parashikon krijimin e një kompanie të përbashkët sipas legjislacionit shqiptar. Në këtë kompani, grupi grek AKTOR do të zotërojë 51% të aksioneve përmes filialeve të tij, ndërsa 49% do të mbahen nga BNI Foundation, përmes strukturave të saj. BNI Foundation do të kontribuojë me të drejtat dhe licencat minerare që ka tashmë në zotërim.

Në të njëjtin shkrim, “Kathimerini” thekson edhe dimensionin financiar dhe strategjik të projektit:

  • Vlera e investimit, në fazën e zhvillimit të plotë, parashikohet të arrijë 1 miliard euro.
  • Financimi do të mbështetet kryesisht në kapital amerikan.
  • Projekti do të përfitojë këshillim teknik dhe mbështetje nga kompani me seli në SHBA.

Pjesëmarrja e faktorëve amerikanë nënvizon rëndësinë e projektit për zinxhirin furnizues perëndimor dhe shpjegon përfshirjen e AKTOR-it, i cili ka zhvilluar më parë marrëdhënie tregtare me kompani amerikane, për shembull në tregtinë e gazit natyror të lëngshëm. Interesi investues i kësaj iniciative greko-amerikane është i fokusuar në zonën e Bilishtit.

Sipas “Kathimerini”, ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt edhe me vizitën në Tiranë të drejtuesit të grupit AKTOR, Aleksandros Eksarhos, i cili shoqërohej nga ambasadorja amerikane në Athinë, gjatë së cilës u zhvillua edhe takimi me kryeministrin shqiptar.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama e ka përshkruar takimin si një bisedë në kuadër të interesave strategjike amerikane në rajon:

“Ambasadorja erdhi për një takim njohjeje, për të diskutuar disa çështje të interesit të lartë amerikan në rajon, që lidhen me energjinë, bashkëpunimin rajonal dhe qasjen ndaj forcave të treta. Ambasadorja e SHBA në Athinë është një përfaqësuese e njohur në politikën amerikane,” deklaroi Rama në një konferencë për shtyp.

Megjithatë, fakti që detajet konkrete të një projekti kaq të madh dalin fillimisht nga një burim i huaj dhe jo nga institucionet shqiptare, lë hapur pyetjen nëse kemi të bëjmë me një proces të mirëstrukturuar transparence apo me një marrëveshje që po ndërtohet larg vëmendjes publike, për t’u paraqitur si fakt i kryer vetëm në fazat e fundit.

Scroll to Top