Alegri flet për titullin: Derisa matematika të na e lejojë, do të luftojmë; nuk e di nëse Modriç do të qëndrojë te Milani
Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, gjatë konferencës për shtyp përpara ndeshjes kundër Torinos, u shpreh edhe lidhur me të ardhmen e Luka Modriç. Mesfushori kroat do të duhet të vendosë në fund të sezonit nëse do të vazhdojë aventurën te skuadra kuqezi.
“Nuk kam biseduar me Lukën. Vendimi është i tij”, u shpreh shkurtimisht tekniku për këtë temë.
Më pas, Alegri iu kthye garës për titullin në Serie A:
“Është e natyrshme që humbja kundër Lacios, siç e theksova edhe pas ndeshjes, pati një ndikim të madh. Interi mendoi se kishte humbur dy pikë, por në fund fitoi një. Gjithçka është ende e hapur, derisa matematika të na e mohojë këtë mundësi. Interi ka një epërsi të konsiderueshme dhe fati i tyre është në dorën e tyre. Ne synojmë kualifikimin në Ligën e Kampioneve. Kur matematika të tregojë se nuk mund t’i kapim më zikaltërit, atëherë do të jetë e qartë se nuk mund ta fitojmë dot më titullin”, përfundoi Alegri.
