Kreu Shqiptar i Rrjetit të Drogës Arrestohet në Peru

EMRI/ Kreu shqiptar i një rrjeti trafiku droge arrestohet në Peru

Rrjetet kriminale ballkanike kanë krijuar praninë e tyre në Peru dhe janë mes trafikantëve kryesorë të kokainës drejt Evropës. Këtë e ka dëshmuar Zyra e Prokurorit të Specializuar për trafikim të paligjshëm droge (Fetid) të qytezës Callao.

Kjo zyrë ka kërkuar nga gjykata një urdhër paraburgimi parandalues prej 18 muajsh për anëtarët e dyshuar të një bande kriminale që mblidhte kokainë për ta trafikuar. Grupi drejtohej nga shtetasi shqiptar Maglent Dybeli dhe përfshinte edhe Rómulo Mengoni, Juan Vásquez, Shirley Ibáñez dhe Efraen Mendoza.

Mendoza kishte qëndruar për tre muaj në Kolumbi për t’u koordinuar dhe për të siguruar eksportimin e drogës nga porti kryesor. Mengoni dhe Vásquez u arrestuan nga policia antidrogë në një banesë në Callao, ku u gjetën 98 pako me kokainë në formë tulle, të cilat ishin sjellë nga Comas.

Gjatë operacionit u konstatua se Maglent Dybeli ishte financuesi i bandës dhe se përdorte një emër të rremë dhe kombësi italiane. Policia dhe Prokuroria Publike po vazhdojnë hetimet për përfshirjen e shtetasve të tjerë të huaj dhe peruanë në këtë çështje.

Zëvendësprokurori provincial, Pako Grajeda, arriti të provojë lidhjen mes të akuzuarve dhe veprave penale, duke çuar në vendosjen e masave shtrënguese ndaj tyre ndërkohë që hetimet vijojnë.

Mafia shqiptare ka arritur në rajon në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000, pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe luftërave ballkanike, sipas një raporti nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC). Aktualisht, ata kanë lidhje me kultivuesit e kokës, mbledhësit dhe tregtarët e kokainës në Peru, prodhuesit e kokainës në Kolumbi, grupet që ruajnë drogën deri në portet e Ekuadorit dhe kartelë të fuqishme meksikane.

Mafia shqiptare është vetëm një nga grupet ballkanike me prani në Amerikën Latine për furnizimin e Evropës me kokainë. “Ka raportime për klane boshnjake, malazeze, kosovare dhe serbe”, – thekson një oficer antidrogë.

Ata kanë ndikim në portet e Amerikës Latine, nga ku droga transportohet drejt kontinentit të vjetër, duke përfshirë Esmeraldas dhe Guayaquil në Ekuador, Buenaventura në Kolumbi, si dhe Callao dhe Paita në Peru.

Një ekspert thekson një veçori të mafias shqiptare: struktura e saj është kryesisht e bazuar në familje. “Hyhet në mafian shqiptare si bir, nip, kushëri ose i afërm i një prej anëtarëve të saj. Për shkak se përbëhet nga persona me lidhje gjaku, është më e vështirë për ta që të raportojnë ose të japin informacione kundër klanit”, – shpjegon ai.

Kjo karakteristikë, e cila është e përbashkët edhe me ‘Ndranghetën italiane, bën që këto struktura të jenë të vështira për t’u çmontuar, ndryshe nga format e tjera kriminale evropiane. “Mafia shqiptare, ose të paktën grupet që kanë vepruar nga Ekuadori dhe Peruja, kanë operuar me struktura biznesi të konsoliduara, të cilat u kanë mundësuar atyre të kamuflonin trafikun e drogës nëpërmjet kompanive të transportit dhe magazinimit, si dhe kompanive të transportit detar që kryejnë eksporte”, – sqaron oficeri.

Scroll to Top