Paulo Dibala drejt largimit nga Seria A? Vendimi i Orianës nxit spekulimet për rikthimin e tij në Argjentinë.
Paulo Dibala dhe klubi argjentinas Boca Juniors duket se po afrohen gjithnjë e më shumë drejt një bashkimi që mund të realizohet së shpejti. Në Argjentinë, entuziazmi dhe bindja se ky transferim mund të ndodhë brenda pak muajsh janë rritur ndjeshëm ditët e fundit.
Madje, e përditshmja sportive “Olé” ka dalë me titullin “Joya Libertadores”, duke iu referuar ëndrrës së madhe të tifozëve të Bocas për të fituar trofeun e shtatë kontinental.
Presidenti i klubit, Juan Román Riquelme, po punon për të sjellë sulmuesin e Romës në Buenos Aires. Vetë lojtari duket i prirur ta pranojë rikthimin në atdhe, kryesisht për arsye familjare.
Pak ditë më parë, Dibala u bë baba për herë të parë me lindjen e vajzës Gia. Bashkëshortja e tij, Oriana Sabatini, ashtu si edhe nëna e tij, dëshiron të kthehet në Argjentinë për të jetuar atje.
Situatën e kanë nxitur edhe më shumë një vendim i fundit i Orianës. Ajo ka pranuar të marrë pjesë në një projekt televiziv në Argjentinë, një adaptim i formatit amerikan “True Crime”, që do të trajtojë ngjarje të njohura kriminale nga historia e vendit dhe do të transmetohet në kanalin Olga.
Edhe pse nuk dihet ende nëse ky projekt kërkon një angazhim të gjatë në vend, për shumëkënd kjo lëvizje nuk duket rastësi dhe lidhet drejtpërdrejt me një rikthim të mundshëm të Dibalas te Boca Juniors.
