LDK: Bashkimi i së djathtës, rikthimi i Osmanit i mundshëm

Abdixhiku nuk përjashton rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar për A2 CNN se po synon të ndërtojë një alternativë serioze dhe të qëndrueshme për vendin përmes thirrjes së tij për bashkimin e të djathtës.

Në një përgjigje me shkrim, Abdixhiku ka shpjeguar qëllimin pas këtij projekti:

  • “Thirrja ime dhe projekti që po ndërtoj nuk është çështje kombinimi partish. Është një proces që buron nga nevoja për drejtim të djathtë të Kosovës, për parime të qëndrueshme politike dhe për një vizion të qartë për Kosovën.”

I pyetur nëse presidentja aktuale Vjosa Osmani do t’i bashkohej këtij projekti, Abdixhiku nuk ka mohuar as ka pohuar, duke theksuar se synon t’i bashkojë të gjithë ata që përkojnë me vizionin e LDK-së:

  • “Në këtë fazë, jemi të përqendruar në bashkimin e të gjithë atyre që historikisht i përkasin vizionit të LDK-së; si një hap i natyrshëm për të ndërtuar një alternativë serioze dhe të qëndrueshme. Jemi në rrugë shumë të mbarë. Nuk po bëjmë aritmetikë politike, por po ndërtojmë përmbajtje politike. Shumë shpejt do të kemi dhe saktësime të tjera.”

Rikthimi i Osmanit në LDK ose gara në një listë të përbashkët shihet nga analistët politikë si një mundësi me përfitime të dyanshme. Osmani do të kishte në dispozicion një strukturë të mirëorganizuar, ndërsa Abdixhiku një figurë të rëndësishme dhe mundësi për të shtuar votat në rast zgjedhjesh.

Megjithatë, rikthimi i Osmanit në partinë e saj të parë politike nuk pritet të jetë i lehtë. Analisti Belgzim Kamberi shprehet:

  • “Nuk duhet të harrojmë që edhe akomodimi i zonjës Osmani në një bashkëpunim të këtillë nuk është kaq lehtë i realizueshëm sepse natyrisht që zonja Osmani ka edhe njerëz të cilët nuk pajtohen me të brenda LDK dhe brenda një liste të këtillë.”

Projekti i Abdixhikut vlerësohet se duhet të bazohet në një platformë të qartë dhe jo vetëm në bashkimin e figurave me ideologji të përafërt:

  • “A do të ketë koncept politik të qartë apo është vetëm bashkim i individëve të caktuar të cilët dëshirojnë të kenë një rezultat elektoral më të mirë apo është njëlloj mishërimi të botëkuptimeve të përafërta të cilët e përfaqësojnë një koncept politik dhe e dyta, një bashkim i tillë do të duhej të kishte një koncept politik se si do t’i jepte përgjigje sfidave aktuale.”

Përveç Osmanit, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është përfolur si një parti që mund të ftohej për një iniciativë të tillë. Partia e Ramush Haradinajt ka një histori bashkëpunimi me LDK-në që nga koha e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Scroll to Top