Zjarret në 2025: Mbi 10 mijë raste, sfida të reja

Në vitin 2025, mbi 10 mijë raste zjarri në vend

Në vitin 2025, numri i rasteve të zjarreve ka shënuar një rritje të mëtejshme, duke e kthyer përballjen me to në një sfidë gjithnjë e më të vështirë. Një raport i Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpërthimi për vitin e kaluar tregon se situata është përkeqësuar, edhe për shkak të ndryshimeve klimatike.

Raporti thekson se, krahasuar me vitin 2024, ku u regjistruan 10,226 raste zjarri, në vitin 2025 u shënuan 306 raste zjarri më shumë. Edhe pse në vitin 2024 pati një numër më të madh sipërfaqesh të djegura, viti 2025 karakterizohet nga një sezon zjarri më intensiv dhe më i gjatë. Kjo reflektohet në rritjen e shpejtësisë së djegies dhe në numrin më të madh të ndërhyrjeve zjarrfikëse, sidomos gjatë muajve të verës, duke treguar qartë ndikimin e klimës, si valët e të nxehtit dhe thatësira.

Në bazë të kësaj panorame, raporti nënvizon nevojën për zgjerimin e kapaciteteve logjistike dhe njerëzore. “Në vitin 2025 është evidentuar një rritje e ndjeshme e ndërhyrjeve, duke reflektuar një ngarkesë operative më të lartë për strukturat zjarrfikëse. Ky trend tregon zgjerimin e rolit të shërbimit në menaxhimin e emergjencave dhe kërkon rishikim të kapaciteteve njerëzore dhe logjistike.”

Nga ana tjetër, raporti vlerëson pozitivisht rritjen e numrit të inspektimeve në vitin 2025, me 806 inspektime më shumë krahasuar me vitin 2024, duke e parë si një zhvillim të rëndësishëm në aspektin e parandalimit. Megjithatë, dokumenti thekson se, në krahasim me rritjen e zjarreve, ndikimi parandalues i inspektimeve mbetet i kufizuar dhe kërkon riorientim drejt sektorëve me risk të lartë.

Ndërkohë, gjatë vitit 2025, ka pasur një rritje të ndjeshme të ndërhyrjeve, duke treguar një ngarkesë operative më të lartë për strukturat e varësisë. “Ky trend tregon zgjerimin e rolit të shërbimit dhe menaxhimin e emergjencave me qëllim përmirësimin e kapaciteteve logjistike dhe njerëzore. Gjatë vitit 2025 ka pasur 1871 raste ndërhyrje për shpëtim.”

Ndërhyrjet për shpëtim kanë arritur nivelin më të lartë në muajin dhjetor, me 296 raste, ndërsa numri më i ulët është regjistruar në muajin shkurt, me 71 raste, sipas dokumentit.

Scroll to Top