Rama paralajmëron referendum për uljen e numrit të deputetëve

Rama paralajmëron referendum, ulje të numrit të deputetëve

Kryeministri Edi Rama ka përmendur sërish ndryshimet kushtetuese, të cilat ai i ka paralajmëruar më parë, me synim uljen e numrit të deputetëve në Kuvend.

Gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama iu referua edhe ligjit për referendumet, duke theksuar se “janë vonë” për këtë çështje. Ai shtoi se shqiptarët do të thirren për të shprehur qëndrimin e tyre se “kush është me kë dhe kush është për çfarë”. Sipas tij, ligji i ri për referendumet mund të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar.

Rama komentoi gjithashtu edhe ligjin për funksionimin e Kuvendit.

“Disa reforma të rëndësishme për të cilat duhet të flasim me njerëzit, në procesin që nis sot deri në fund të prillit dhe më pas deri në fund të qershorit, kur konsolidohet me përfundimin e të gjitha zgjedhjeve në PS. Kemi folur për riorganizimin e Kuvendit të Shqipërisë. Dhjetë legjislatura kanë hyrë e kanë dalë. Ne do të ulim numrin e deputetëve dhe besoj që për këtë jemi vonë, por prapë kemi të gjithë kohën që t’i thërrasim shqiptarët në referendum. Ndaj ne do të çojmë përpara ligjin e munguar për referendumet, sepse ka edhe tema të tjera që duhet t’i vendosim para shqiptarëve dhe t’i lëmë të thonë se kush është me kë dhe kush është për çfarë. Besoj që ligji i ri për referendumet është i realizueshëm brenda këtij sesioni të legjislaturës.

Së dyti, kemi folur për ligjin organik për funksionimin e Kuvendit, i domosdoshëm, pasi Kuvendi ka deputetë pa status. Kuvendi ka burimet e pamjaftueshme me të cilat funksionon. Nuk ka as shtëpi. Kemi thënë se duhet ta bëjmë Kuvendin me shtëpi. Këto duhen bërë tani,” – tha Rama.

Scroll to Top